BALLKANI

Kosovë, hapet fushata "Java Globale e Sigurisë Rrugore"

“Java globale e sigurisë rrugore do të jetë rasti për të grumbulluar angazhime të shumta në nivelet kombëtare dhe lokale”, theksoi zv/ministri Durmishi

Agim Sulaj  | 17.05.2021 - Përdıtësım : 17.05.2021
Kosovë, hapet fushata "Java Globale e Sigurisë Rrugore" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në Prishtinë është hapur “Java Globale e Sigurisë Rrugore” e cila në gjithë botën manifestohet këtë vit me temën “Rrugët për Jetën” që ka për qëllim zvogëlimin e shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo javë (17 – 23 maj) e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi uljen e shpejtësisë së qarkullimit në komunikacion të mjeteve motorike, për të shpëtuar jetë si dhe për të mirën e planetit, u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, Asociacionit Kosovar të Motorizimit (AMRKS) dhe Policisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve, lëndimeve dhe dëmeve material në trafikun rrugor.

Ai tha se në 10 vjetët e fundit në Kosovë ka pasur zvogëlim të numrit të aksidenteve.

“Java globale e sigurisë rrugore do të jetë rasti për të grumbulluar angazhime të shumta në nivelet kombëtare dhe lokale për të ofruar 30 kilometra në orë kufizimin e shpejtësisë në zonat urbane që gjenerojnë mbështetje lokale për masa të tillë me shpejtësi të ulët në mënyrë që të krijojnë qytete të sigurta, të shëndetshme, miqësore ndaj mjedisit dhe të jetueshme”, theksoi Durmishi.

Nga Policia e Kosovës, Gazmend Hoxha tha se e mbështesin zvogëlimin e shpejtësisë së mjeteve motorike në 30 kilometra në orë pranë shkollave dhe në komunikacion lokal duke u bërë thirrje shoferëve që ta respektojnë këtë rregull.

Sipas, Hoxhës, raportet e fundit të nxjerra nga autoritetet e Bashkimit Evropian për fatalitetet për vitin 2020 ku janë analizuar statistikat e aksidenteve në Ballkanin Perëndimor tregojnë se Kosova ka më së paku vdekje.

“Kosova, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka më së paku vdekje për 1 milion banorë. Meqë aksidentet e trafikut rrugor paraqesin një problem të natyrës multidisiplinare, atëherë edhe përballja me këtë problem kërkon angazhim të të gjithëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kemi sukses në uljen e mëtutjeshme të numrit të aksidenteve e në veçanti të atyre me fatalitet”, theksoi Hoxha, duke shtuar se policia do të vazhdojë të punojë për sigurinë në trafik.

Muhamet Krasniqi nga AMRKS duke folur rreth idesë së uljes së shpejtësisë në 30 kilometra në orë, tha se të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tregojnë se vetëm një kilometër më tepër në rritje të shpejtësisë, mund të ndikojë në 3 për qind në rritjen e numrit të aksidenteve me goditje dhe në 4-5 për qind në rritjen e numrit të viktimave.

Sipas të dhënave nga organizata botërore, çdo vit në botë më shumë se 1.3 milionë njerëz vdesin në aksidente rrugore, po kështu çdo vit, më shumë se 10 milionë njerëz lëndohen lehtë ose rëndë nga aksidentet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.