Kosovë, hapet ekspozita "Tri ditë që ndryshuan historinë"
Fotografitë e realizuara nga Ridvan Slivova dhe Bekim Shyti, në mars të vitit 1998, shfaqën para audiencës shtëpitë e familjes Jashari pas sulmit të forcave ushtarake dhe policore serbe më 5, 6 dhe 7 mars 1998
Prishtinë
Në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është hapur në Prishtinë ekspozita me fotografi: "Tri ditë që ndryshuan historinë", raporton Anadolu.
Në ekspozitën e cila u hap në hollin e Kuvendit të Kosovës, mori pjesë kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunc Angili dhe përfaqësues tjerë të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Fotografitë e realizuara nga Ridvan Slivova dhe Bekim Shyti, në mars të vitit 1998, shfaqën para audiencës shtëpitë e familjes Jashari pas sulmit të forcave ushtarake dhe policore serbe më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se fotografitë e shfaqura në këtë ekspozitë janë dëshmi dhe fragmente të historisë që flasin pa fjalë.
"Në ato ditë, në Prekaz, u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm por edhe më krenarë të historisë sonë. Epopeja e UÇK-së na kujton se liria jonë erdhi nga guximi, sakrifica dhe besimi i palëkundur se Kosova meriton të jetojë e lirë", tha Haxhiu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nëse 5, 6 dhe 7 marsi ishin ditë që e ndryshuan historinë e Kosovës, këto fotografi janë dëshmi të atij ndryshimi epokal.
"Me këto fotografi me vlerë historike, ne sot e shohim Kosovën e marsit të vitit 1998, kontekstin e kohës dhe të ngjarjeve të cilat lidhen me rezistencën e Jasharëve në Prekaz, të rënëve për liri dhe reagimin mobilizues të shqiptarëve ndaj kësaj ngjarjeje", tha Kurti.
Ai tha se duke qenë gjenerata të edukimit vizual, fotografitë sikurse këto kanë rëndësi të çmueshme për krijimin e përfytyrimeve për figurat dhe ngjarjet që sollën Epopenë e UÇK-së.
Fotografitë e kësaj ekspozite tashmë janë pjesë e arkivit në Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
