BALLKANI

Kosovë, Gjykata Kushtetuese obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh

Në aktgjykimin në përgjigje për çështjen e kalimit të votimit për Kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, gjykata ka konstatuar që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën

Agim Sulaj  | 26.06.2025 - Përdıtësım : 26.06.2025
Kosovë, Gjykata Kushtetuese obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh

Prishtinë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, raporton Anadolu.

Në aktgjykimin e publikuar si përgjigje dhënë partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për çështjen e kalimit të votimit për Kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në votim të mbyllur, gjykata po ashtu ka konstatuar që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.

Gjykata ka thënë se afati 30 ditësh është akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses.

“Në pajtim me këtë aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, theksohet në aktgjykimin për atë se si duhet vepruar deputetët e Kuvendit pas ngërçit institucional që nga prilli.

Në çështjen e kalimit në votim të fshehtë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, “duke votuar për, kundër apo të abstenojnë".

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo 48 orë duke dështuar gjithsej 37 herë në votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit dhe hapje të rrugës për formimin e qeverisë së re.

Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare zhvilluan takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.

Por në fillim të qershorit në konsultimet e presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike për zgjedhjet lokale, ata u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.