BALLKANI

Kosovë, gjenden mbetje mortore në lokacionin “Perzhina” në Rahovec

Sipas komisionit, në këtë fazë nuk dihet numri i saktë i personave dhe identiteti i tyre nga mbetjet mortore të cilat janë gjetur sot, por këto informacione do të mund të konfirmohen pas analizave forenzike

Agim Sulaj  | 04.03.2026 - Përdıtësım : 04.03.2026
Kosovë, gjenden mbetje mortore në lokacionin “Perzhina” në Rahovec

Prishtinë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore në lokacionin e njohur si “Përzhina” në Komunën e Rahovecit, që dyshohet t’i përkasin një apo disa personave të zhdukur gjatë luftës, transmeton Anadolu.

Komisioni qeveritar njoftoi se ato janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas komisionit, në këtë fazë nuk dihet numri i saktë i personave dhe identiteti i tyre nga mbetjet mortore të cilat janë gjetur sot, por këto informacione do të mund të konfirmohen pas analizave forenzike.

Në këtë lokacion rifilluan gërmimet pasi u ndërprenë në dhjetor të vitit të kaluar si pasojë e motit.

“Gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore”, thuhet tutje në njoftim.

Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë gërmimeve treditore në Përzhin të Rahovecit u gjetën eshtrat e dy personave të cilët dyshohet se janë zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Në këtë lokacion, ku më herët patën bërë kërkime edhe ekipe të Tribunalit të Hagës e të UNMIK-ut, dyshimet ishin se ndodhen mbetje mortore të tetë viktimave.

Në Kosovë vazhdon të mos dihet ende fati i mbi 1.500 personave që nga lufta e fundit 1998-99.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.