Kosovë, gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika u caktohet nga një muaj paraburgim
Gjyqtarja paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit planifikuan të privonin nga jeta tashmë të ndjerin Muhamed Lika, ku më pas i mituri ka gjuajtur me armë në drejtimin e tij

Prishtinë
Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të arrestuarve gjatë ditës së djeshme H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Muhamed Lika para banesës së tij më 1 prill, raporton Anadolu.
Me këtë rast, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “vrasja e rëndë”.
Sipas asaj që ka përshkruar gjykata lidhur me vrasjen që tronditi opinionin publik në Kosovë në mesnatën e 1 prillit, vrasjen e ka kryer një i mitur, ndërsa të pandehurit tjerë e kanë organizuae atë.
Sipas Gjykatës, gjyqtarja paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se me 1 prill rreth orës 11 të natës në një rrugë të Kaçanikut, në hyrje të një ndërtese, të pandehurit planifikuan të privonin nga jeta tashmë të ndjerin Muhamed Lika, ku më pas i mituri ka gjuajtur me armë në drejtimin e tij.
“Viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hyn në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hyn në objektin banesor, pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri. Në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9,19 mm dhe nga plagët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Pas gjuajtjes me armë në drejtim të viktimës, sipas Gjykatës, i mituri ka ikur në drejtim të një lokali bashkë me disa prej të pandehurve të tjerë, të cilët sipas gjykatës i kanë kapur disa nga kamerat e vendosura aty pranë.
Të pandehurit e tjerë gjithashtu përmenden në raportin e gjykatës se e kanë vëzhguar policin që nga dalja e tij prej punës.
Gjatë ditës kanë folur edhe tre avokatë mbrojtës të të pandehurve.
Avokati i të akuzuarit R.M, Musa Konxheli, dhe avokatja Fehmije Gashi e të akuzuarit D.G. kanë mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në planifikimin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik.
Në prononcim për media, Konxheli ka thënë se klienti i tij e ka përdorur alibinë se gjatë kohës së vrasjes, ka qenë me të fejuarën.
Edhe Ngadhnjim Rudi, avokati i V.Ç., ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë. Ai ka deklaruar se “kërkesa e Prokurorisë është ngritur mbi dyshime dhe mbështetet vetëm në një video-incizim të marrë nga kamerat e sigurisë”.
“Në ato pamje ai shihet në shoqëri të dy të pandehurve të tjerë. Normalisht, në seancë nuk e ka pranuar fajësinë dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohet rasti”, ka thënë Rudi.
Policia e Kosovës njoftoi se më 1 prill rreth orës 11 të mbrëmjes në hyrje të ndërtesës ku banonte në Kaçanik, u vra zyrtari policor Muhamed Lika. Sipas Policisë, viktima ishte gjetur i plagosur rëndë më pas u transportua për në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve.