BALLKANI

Kosovë, fillon votimi për shkarkimin e kryetarëve aktualë në komunat me shumicë serbe

Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga komuniteti serb në veri të Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim edhe pse më herët morën pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual shqiptarë

Agim Sulaj  | 21.04.2024 - Përdıtësım : 21.04.2024
Kosovë, fillon votimi për shkarkimin e kryetarëve aktualë në komunat me shumicë serbe Foto: Erkin Keçi/AA

Mitrovicë e Veriut

Janë hapur me rregull nga ora 07:00 qendrat e votimit me qëllim të votimit për apo kundër shkarkimit të katër kryetarëve aktual të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, raporton Anadolu.

Vendvotimi në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut është hapur me kohë dhe votuesit me të drejtë vote do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës deri në orën 19:00, kur edhe do të përfundojë procesi votimit.

Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë hapur gjithsej 23 qendra të votimit, tetë në komunën e Leposaviqit, pesë në Zubin Potok, pesë në Zveçan dhe pesë në Mitrovicë të Veriut.

Drejtorët e shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe sipas sistemit të Republikës së Serbisë refuzuan hapjen e objekteve të tyre në ditën e votimit, ndaj KQZ-ja vendosi që votimi të bëhet në vende alternative, sikurse objektet komunale, sallat sportive dhe objektet e menaxhuara nga Agjencia Kosovare për Privatizim.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, si dhe partitë tjera më të vogla nga komuniteti serb në veri të Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim edhe pse më herët morën pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual shqiptarë.

Mospjesëmarrjen e tyre në votimin e sotëm ata e kanë arsyetuar me lista joreale të votuesve sepse, siç pretendojnë ata, janë shpërngulur rreth 15 për qind e serbëve dhe kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për monitorimin e procesit të votimit me kamera.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, për shkarkimin e suksesshëm të kryetarit të komunës nevojiten 50 për qind plus një votë të votuesve të regjistruar, pas së cilës do të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën më 23 prill të vitit 2023, në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat u bojkotuan nga serbët.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës çoi në protesta të dhunshme të popullatës serbe, konflikte me KFOR-in dhe plagosjen e rreth 90 ushtarëve të huaj.

Pas presionit të madh të SHBA-së dhe BE-së, Qeveria e Kosovës pranoi të organizojë zgjedhje të reja, por me procedurën e Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarit të komunës.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, gjë që u kundërshtua nga partnerët perëndimorë, BE-ja në qershor të vitit të kaluar vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

Në rast se dështon ky votim, atëherë do të humb për një vit mundësia që të ushtrohet një peticion i tillë.

Vitin e ardhshëm është paraparë të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Kryetar aktual në Mitrovicë të Veriut është Erden Atiq, Ilir Peci në Zveçan, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Izmir Zeqiri në Zubin Potok.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.