Kosovë, fillon fushata sensibilizuese kundër kancerit të gjirit
"Në Kosovë vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra por edhe raste të burrave. Ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor", tha Kurti

Prishtinë
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) filloi fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit, nismë që synon ndërgjegjësimin për sëmundjen që prekë mijëra gra çdo vit, raporton Anadolu.
Në hapjen e kësaj fushate mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe një numër i konsiderueshëm i grave që përfaqësojnë institucione dhe organizata të ndryshme.
Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve foli për rëndësinë e kontrollimit të rregullt mjekësorë që krijon mundësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes së kancerit.
"Të dhënat flasin se në botë çdo vit diagnostikohen mbi 2.3 milionë raste të reja dhe humben 670 mijë jetë nga kanceri i gjirit. Në Kosovë vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra por edhe raste të burrave. Ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor", tha Kurti.
Ai tha se MSH në bashkëpunim me IKSHPK dhe institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh gjatë gjithë muajit tetor, nga informimi i qytetarëve në sheshe dhe shkolla, tek ligjëratat për komunitete të ndryshme dhe organizimin e mamografisë mobile në komunat ku nuk ka mamograf.
Ministri Vitia foli për rëndësinë e mamografisë, vetëkontrollit dhe kontrollit për parandalimin e përhapjes së kancerit. "Mamografia si shërbim kyç për diagnostikim, vitin e kaluar shënoi një rekord në numrin e ekzaminimeve ku pati mbi 1.500 ekzaminime vetëm në nivelin tretësor shëndetësor duke bërë të mundur diagnostikimin në faza shumë të hershme", theksoi Vitia.
Ai tha se në vitin 2023 filloi shërbimi i mamografisë mobile edhe në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë, gjë e cila do të vazhdojë sivjet dhe viteve në vazhdim.
Sipas ministrit në detyrë, Vitia, gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të rasteve të zbulimeve të hershme të kancerit të gjirit dhe aktualisht pak mbi 53 për qind e grave të prekura nga kanceri, janë në stadin e hershëm të sëmundjes, që rritë mundësitë për trajtim të suksesshëm.
Kanceri i gjirit mbetet sëmundje alarmuese në Kosovë, me një rritje të vazhdueshme të rasteve të reja dhe një sfidë të madhe për sistemin shëndetësor.
Sipas të dhënave zyrtare mesatarisht diagnostikohen rreth 500 raste çdo vit.