BALLKANI

Kosovë, EULEX publikon raportin e “Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë”

Raporti ka mbuluar periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit mars 2020, ku personeli i EULEX-it ka monitoruar 107 raste dhe ka marrë pjesë në 312 seanca gjyqësore

Agim Sulaj  | 19.10.2020 - Përdıtësım : 20.10.2020
Kosovë, EULEX publikon raportin e “Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë”

Prishtinë

Misioni i Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit (EULEX) ka prezantuar raportin e tij të parë të bërë publik të “Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë” me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti ka mbuluar periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit mars 2020, ku personeli i EULEX-it ka monitoruar 107 raste dhe ka marrë pjesë në 312 seanca gjyqësore.

Shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, në fjalën e tij tha se monitorimi është bazuar në qasjen e plotë të sistemit prokurorial dhe policor dhe në përputhje me mandatin e misionit EULEX, duke mbikëqyrur gjithë zinxhirin e drejtësisë penale në Kosovë, si dhe aspektet e drejtësisë penale dhe civile.

“Bazuar në identifikimin e çështjeve specifike për këtë kohë, kemi qenë në gjendje të gjejmë trende pozitive dhe negative në të njëjtën kohë, duke ndikuar në funksionin e përgjithshëm të gjyqësorit. Në të njëjtën kohë kemi ekspertë të përkushtuar që kanë analizuar fusha të ndryshme tematike, përfshirë korrupsionin, krimet e luftës, privatizimin dhe dhunën në bazë gjinor dhe likuidimin”, tha Wigermark.

Wigermark tha se, mbi të gjitha, EULEX ka krijuar bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv bazuar në besim me partnerët kosovarë, ku disa nga rekomandimet tashmë janë realizuar.

Shefi i Njësisë për Monitorimin e Çështjeve në EULEX, Hubert van Eck Koster, i cili prezantoi gjetjet e raportit, tha se edhe në periudhën shtator 2019 – mars 2020 ka vazhduar trendi i seancave joproduktive (e cila shtyhet menjëherë pas fillimit pa asnjë progres domethënës).

Sipas tij, prej 287 rasteve të monitoruara në periudhën gusht 2019 - shkurt 2020, 67 ishin joproduktive apo 23 për qind, krahasuar me 29 për qind në periudhën e mëparshme të raportimit, megjithëse, siç u tha në konferencë, Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë e ka adresuar këtë çështje.

Sa i përket gjykimit të profileve të larta në Kosovë, raporti, sipas Eck Koster, vë në pah ngadalësimin ose bllokimin e tërësishëm të këtyre proceseve, ndërsa vetëm një numër prej tyre kanë shënuar progres.

“Pas një periudhe të gjatë në të cilën përparimi i rasteve të profilit të lartë, shumë prej të cilave janë ish-raste të EULEX-it, mbeti i ngadaltë ose ishte bllokuar plotësisht, vetëm një numër i tyre lëvizën përpara”, tha ai.

Eck Koster shtoi gjithashtu se është identifikuar si një nevojë urgjente për Pallatin e Drejtësisë të sigurojë masa mbrojtëse për dëshmitarët, si dhe gjykatat të sigurohen që gjykimet të mos vonohen në mënyrë të panevojshme.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se pas leximit të këtij raporti mund të vlerësohet se Kosova edhe përkundër sfidave të shumta të cilat vazhdojnë të mbesin, “ka bërë progres substancial në një numër të konsiderueshëm të të arriturave dhe standardeve në gjyqësor”.

“Rishikimi Funksional i Sundimit te Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë Vettingun, janë tregues se Kosova nga reflektimi, po kalon ne etapën e implementimit dhe se nuk do të rrijë duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë. Të dy këto procese janë pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial, për t'ia rikthyer besimin qytetarëve në drejtësi”, tha Selimi.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it në Kosovë është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.