BALLKANI

Kosovë, e akuzuara për spiunazh Jelena Gjukanoviq deklarohet e pafajshme për akuzat

Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi se 15 ditë janë të mjaftueshme

Agim Sulaj  | 16.09.2025 - Përdıtësım : 16.09.2025
Kosovë, e akuzuara për spiunazh Jelena Gjukanoviq deklarohet e pafajshme për akuzat

Prishtinë

E akuzuara për spiunazh, serbja nga Mitrovica e Veriut, Jelena Gjukanoviq, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkohen, transmeton Anadolu.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot nisi seanca fillestare ndaj punonjëses së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Gjukanoviq, e cila zgjati më pak se një orë.

Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi se 15 ditë janë të mjaftueshme.

Avokati i Gjukanoviqit, Predrag Millkoviq, pas seancës tha se "brenda këtij afati do të kërkojmë hedhjen poshtë të aktakuzës dhe do të paraqesim prova kundërshtuese. Pastaj, do të shohim vendimin e gjykatësit".

Mbrojtja e të akuzuarës kërkoi gjithashtu që paraburgimi t'i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, mirëpo kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Bekim Kodraliu.

Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e OSBE-së u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Prokurori special, Bekim Kodraliu gjatë leximit të aktakuzës, tha se Jelena Gjukanoviq, me informacionet e transmetuara tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ai tha se Gjukanoviq ka qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, ku me këtë të fundit e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd.

Sipas tij, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.

Lidhur me këtë rast pati reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku punonte e dyshuara që tani ndodhet nën arrest.

"Përderisa Misioni nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, ai mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit të duhur", shkroi OSBE në reagim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın