Kosovë, dy komuna shpallën gjendje emergjente si pasojë e vërshimeve
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve zyrtare
Prishtinë
Dy komuna të Republikës së Kosovës, ajo e Malishevës dhe e Junikut, shpallën gjendje emergjente si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat shkaktuan vërshime, raporton Anadolu.
Pas Komunës së Malishevës, edhe Komuna e Junikut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa autoritetet lokale dhe qendrore janë vënë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës.
Komuna e Junikut ka njoftuar se është formuar shtabi emergjent, ndërsa për shkak të rrethanave të krijuara është shtyrë edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 deri më 12 janar 2026.
Autoritetet komunale kanë kërkuar nga qytetarët kujdes të shtuar dhe ndjekje të njoftimeve zyrtare, duke theksuar se ditët e humbura të mësimit do të kompensohen.
Ndërkohë, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi gjatë ditës se reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar vërshime veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin, Klinën si dhe në disa zona të pjesës qendrore si Skenderajn dhe Drenasin.
Sipas IHMK-së, vërshimet u shkaktuan si rezultat i intensitetit të reshjeve ku disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke krijuar rrezik për infrastrukturën dhe lëvizjen e qytetarëve.
- Osmani: FSK në gatishmëri të plotë për mbështetje
Lidhur me situatën e krijuar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve zyrtare.
Osmani ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët për reagimin dhe solidaritetin e treguar, duke theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur në koordinim me organet e rendit. Presidentja Osmani ka falënderuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, përmes kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qëndruar në Malishevë për të vlerësuar nga afër gjendjen pas vërshimeve. Ai ka deklaruar se situata aktualisht është stabile dhe nën kontroll, ndërsa nga zonat më të rrezikuara janë evakuuar disa banorë, pa pasur dëme në njerëz.
Sveçla ka theksuar se ekipet përgjegjëse janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura dhe po e monitorojnë situatën vazhdimisht.
Ministri Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, duke rikujtuar se numrat emergjentë janë të qasshëm në çdo kohë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
