BALLKANI

Kosovë, deri në ora 11 dalje minimale e votuesve në komunat veriore

"Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, theksoi Radoniqi

Agim Sulaj  | 21.04.2024 - Përdıtësım : 21.04.2024
Kosovë, deri në ora 11 dalje minimale e votuesve në komunat veriore Foto: Erkin Keçi/AA

Mitrovicë e Veriut

Numër i vogël i votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë deri në orën 11 në katër komunat veriore me shumicë serbe, ku po votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktual shqiptarë, raporton Anadolu.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media tha se sipas të dhënave nga vendvotimet, një numër i vogël i votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit.

“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve, në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11 është si në vijim. Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, theksoi Radoniqi.

Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në votimin për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave.

Sa i përket sigurisë në veri, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe nuk ka pasur probleme deri në mesditë.

Zv/drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Anadolu se policia ka përgatitur plan të posaçëm operativ për të dielën dhe deri tani situata është e qetë.

“Plani nënkupton që policia të jetë e pranishme dhe të sigurojë rendin dhe qetësinë publike në të gjitha vendet, në përputhje me marrëveshjen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Jemi këtu nëse ka prishje të rendit dhe qetësisë publike. Gjithashtu edhe njësitë e tjera janë në gatishmëri nëse nevojitet diçka”, tha Elshani.

Sipas tij, nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje, pasi situata është normale dhe se policia është e pranishme në të gjitha vendet”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili po qëndron në veri për të shikuar nga afër rrjedhën e procesit, në një konferencë për media tha se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos të përfaqësojnë interesin e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, tha ai.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, si dhe partitë tjera më të vogla nga komuniteti serb në veri të Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim edhe pse më herët morën pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim shkarkimin e kryetarëve aktual shqiptarë.

Mospjesëmarrjen e tyre në votimin e sotëm ata e kanë arsyetuar me lista joreale të votuesve sepse, siç pretendojnë ata, janë shpërngulur rreth 15 për qind e serbëve dhe kundërshtojnë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për monitorimin e procesit të votimit me kamera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın