Kosovë, deputetët dështojnë të emërojnë kryeparlamentarin edhe pas aktgjykimit të ri të Kushtetueses
Deputeti Glauk Konjufca propozoi në mënyrë të hapur kandidaten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori mbështetjen e nevojshme për t'u emëruar në këtë pozitë

Prishtinë
Ka dështuar të emërohet kryetari i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës në seancën e parë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të plotë ditën e djeshme, thirri partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje të propozojë kandidatin e tyre për kryeparlamentar.
Deputeti Glauk Konjufca propozoi në mënyrë të hapur kandidaten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u emëruar në këtë pozitë. Vetëm 57 vota ishin pro emërimit të Haxhiut për kryetare, 56 kundër dhe vetëm tre vetë abstenuan.
Pas këtij dështimi, Konjufca propozoi deputeten Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit. Edhe Gërvalla mori 57 vota për, 56 kundër ndërsa tre vetë abstenuan.
"Për sot ndërpritet seanca, nuk ka kuorum, shihemi më 22 gusht në orën 11:00", theksoi Dehari.
Në aktgjykimin e publikuar të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se deputetët duhet ta zgjedhin kreun e ri të institucionit legjislativ brenda 30 ditëve, afat që nisë të rrjedhë nga 19 gushti.
Aty thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Edhe në seancat e kaluara, kandidatja Albulena Haxhiu nuk kishte marrë mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve që të emërohej e para e Kuvendit ndërsa pas kësaj partitë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, refuzuan të propozonin anëtar për një komision i cili do ta bënte të fshehtë mënyrën e votimit të kryeparlamentarit.
Kushtetuesja konstatoi se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 i shpalli të pavlefshme.
Deputetët e Legjislaturës së Nëntë nga 15 prilli deri më 26 korrik 2025 mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, pa rezultat në konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.