BALLKANI

Kosovë, deputetët diskutojnë refuzimin e Qeverisë në projektin për infrastrukturën e gazit

Haradinaj tha se Qeveria pas refuzimit të ndërtimit infrastrukturës së gazit në Kosovë të financuar nga korporata amerikane MCC, ka vënë në rrezik marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Agim Sulaj  | 18.11.2021 - Përdıtësım : 18.11.2021
Kosovë, deputetët diskutojnë refuzimin e Qeverisë në projektin për infrastrukturën e gazit ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Në seancën plenare të Kuvendit është diskutuar mospërkrahja e Qeverisë së Kosovës për projektin për ndërtimin infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), raporton Anadolu Agency (AA).

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti që ka bërë kërkesë që të mbahet diskutimi i kësaj çështje, tha se mungesa e stabilitetit të energjisë elektrike në Kosovë, furnizimi i pasigurt jo vetëm që shkakton probleme të natyrës bazike për jetë por edhe pengon zhvillimin ekonomik.

Haradinaj tha se Qeveria pas refuzimit të ndërtimit infrastrukturës së gazit në Kosovë të financuar nga korporata amerikane MCC, ka vënë në rrezik marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe do të duhej të njoftonte popullin me një opsion tjetër më të mirë se ky.

“Duke shtyrë këtë projekt për kohë të pacaktuar, Qeveria e Kosovës, ne, rrezikojmë jo vetëm marrjen e përfitimeve ekonominë nga një projekt i tillë që do të nënkuptonte përmirësimin e sistemit elektro-energjetik dhe krijimin e rezervave të energjisë dhe shërbimeve ndihmëse në rrjetin e transmetim”, tha Haradinaj.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se refuzimi i Qeverisë së Kosovës për këtë projekt po synohet të deformohet nga opozita dhe të paraqitet si “prishje e marrëdhënieve me SHBA-në”.

Abazi tha se asnjë zyrtar i vetëm i SHBA-së në asnjë moment nuk e ka cilësuar çështjen e refuzimit të këtij projekti të gazit si problematik.

Në pakon e aprovuar nga republikanët dhe demokratët që është mbi 1.3 trilionë dollarë 550 miliardë dollarë janë dedikuar për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe nga ato, 350 miliardë për individë dhe biznese që kalojnë në energjinë e pastër të ripërtërishme. Kjo është pakoja e SHBA-së, nuk është aty as gazi as qymyri”, theksoi Abazi, i cili akuzoi Haradinajn se ngritja e kësaj çështjeje nga ai po bëhet për shkak të interesave personale.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj tha se refuzimi i projektit të infrastrukturës së gazit të financuar nga MCC nënkupton futjen e ndikimit dhe sjelljen e gazit rus në Kosovë.

“Serbia sot është 100 për qind e varur nga gazi rus, çfarë doni të na bëni neve, ku doni ta sillni Kosovën. Ose në ndikim të gazit rus ose krejtësisht të përjashtuar nga ky proces i cili është shumë i rëndësishëm, më së paku në fushën e ekonomisë”, tha Selmanaj.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli më 30 shtator të këtij viti njoftoi se Qeveria nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, me arsyetimin se kanë nevojë për më shumë informata, për të qenë të sigurt se “ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se do të shfrytëzojnë investimin e përcaktuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët, që gjithashtu e ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

MCC-ja kishte përcaktuar një shumë deri në 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës së gazit. Opsioni që ishte më i studiuari për këtë projekt nga Qeveria e Kosovës është thënë se ka qenë ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që do t’i jepte qasje Kosovës - përmes Maqedonisë së Veriut.

Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike, me rreth 95 për qind, e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentrale, e cila konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.