BALLKANI

Kosovë, deputetë të parlamenteve të ndryshme diskutojnë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në kohë lufte

Deputeti shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi, tha se megjithë luftërat e shekullit 20-të, as shekulli 21 nuk duket inkurajues me luftërat që po zhvillohen në Ukrainë dhe Gaza

Agim Sulaj  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 04.06.2025
Kosovë, deputetë të parlamenteve të ndryshme diskutojnë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në kohë lufte Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në kuadër të ditës së dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë, u zhvillua paneli "Mbrojtja e grave dhe fëmijëve në kohë lufte - së pari duhet të sigurohemi se ata janë të mbrojtur në kohë të paqes", raporton Anadolu.

Rreth 20-të deputetë dhe përfaqësues të parlamenteve të ndryshme nga bota morën pjesë në këtë panel, ku ndanë përvojat dhe idetë për paqen dhe sigurinë e grave dhe fëmijëve në shtetet përkatëse.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, e filloi fjalën e saj duke treguar shkurt për përvojën e saj si refugjate në Finlandë gjatë luftës së vitit 1998-99 në Kosovë.

Duke folur për zhvillimin legjislativ në Kosovë në kuadër të mbrojtjes së grave dhe fëmijëve, Reshitaj tha se në vitin 2014 Kosova miratoi një ligj historik që njeh dhe kompenson viktimat seksuale gjatë luftës, derisa ka përmirësuar edhe ligjin për dhunë në familje.

Anëtarja e Parlamentit Finlandez, Saara-Sofia Siren, tha se kur gratë janë të përfshira në vendime, paqja dhe siguria janë më të forta.

Ajo tha se barazia është e drejtë njerëzore dhe Finlanda është shembull për këtë. Sofia Siren tha se sekreti pse Finlanda zgjidhet për tetë herë si vendi më i lumtur në botë është të drejtat e barabarta.

Senatorja e Senatit të Kanadasë, Rebecca Patterson, tha se është shumë vonë të mendohet për gratë dhe fëmijët kur ata sulmohen.

Ajo tha se Kanadaja ka mekanizma vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.

- As shekulli 21 nuk duket inkurajues me luftërat që po zhvillohen në Ukrainë dhe Gaza

Deputeti shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi, tha se megjithë luftërat e shekullit 20-të, as shekulli 21 nuk duket inkurajues me luftërat që po zhvillohen në Ukrainë dhe Gaza.

Sipas Kamberit, historia e Ballkanit ka mësuar se vrasja e fëmijëve dhe grave nuk filloi nga lufta.

Megjithë vrasjen e 9.500 grave në Sarajevë dhe mbi 13 mijë njerëzve në luftën e Kosovës, Kamberi tha se vrasja e fëmijëve dhe grave nuk ka qenë vetëm pasojë e luftës, por një ndërmarrje kriminale të strukturave të organizuara kriminale për të realizuar një plan.

Anëtarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, tha se kur flitet për sigurinë e grave dhe fëmijëve duhet të mendohet përtej kufijve shtetërorë.

Ajo tha se siguria për këto kategori fillon nëpër shtëpi dhe shkolla, por jo më pak edhe në ligjet të cilat deputetët i vendosin në parlamente.

Në panel u tha se parandalimi, në kohën kur në botë po zhvillohen vatra të ndryshme lufte, duhet të jetë një prej caqeve për ruajtjen e paqes tek gratë dhe fëmijët.

Në panel morën pjesë senatorë tjerë nga Senati i Kanadasë, anëtarë të Bundestagut Gjerman, anëtarë të parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Lituanisë dhe përfaqësues të qytetit slloven, Lubjanës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.