BALLKANI

Kosovë, bastisje në Zubin Potok dhe Zveçan në kuadër të hetimeve për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it

Gjatë aksionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar shtatë persona, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt

Agim Sulaj  | 19.10.2025 - Përdıtësım : 19.10.2025
Kosovë, bastisje në Zubin Potok dhe Zveçan në kuadër të hetimeve për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një operacion të gjerë në komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit, në kuadër të hetimeve lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të përbashkët të lëshuar nga prokuroria dhe policia, operacioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të provave relevante.

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë realizuar bastisje në gjithsej nëntë lokacione, dy në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok.

Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar nën dyshimet për veprat penale “Rrezikimi i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje e rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Bëhet e ditur se gjatë aksionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar shtatë persona, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në kuadër të zbatimit të urdhrit për bastisje, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa kanë ritheksuar përkushtimin e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe garantimin e rendit e sigurisë në Kosovë.

Më 19 shtator të vitit 2013, zyrtari doganor lituanez i EULEX-it, Audrius Shenaviçius, u qëllua në Ballaban të Zveçanit dhe ndërroi jetë gjatë trajtimit spitalor.

EULEX-i ka publikuar shpërblime të ndryshme për çfarëdo informate që çon te zbardhja e vrasjes së pjesëtarit të saj. Për herë të fundit, EULEX në 12 vjetorin e vrasjes së tij ofroi 82 mijë euro për një informatë të këtillë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.