Kosovë, Avokati i Popullit i shpreh shqetësime kryetares së Gjykatës Speciale
Institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar me një letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ku shprehen shqetësime lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Prishtinë
Institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar me një letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ku shprehen shqetësime në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Anadolu.
Në letër Institucioni i Avokati i Popullit ka ndarë disa shqetësime duke filluar nga masa e paraburgimit për kaq gjatë dhe pandërprerë, pastaj pranimin e disa dokumenteve të dyshimta të cilat pretendohet se burojnë nga Serbia pas vitit 1999, një periudhë kur Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë e të cilat po përdoren si prova në procesin e Dhomave të Specializuara.
"Pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese", thuhet në reagim.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, gjithashtu ka ngritur shqetësim për kufizimin në komunikim, në vizitat familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit.
Një tjetër shqetësim që është ngritur nga Avokati i Popullit është se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, ndërsa veprimtaria e tyre, sipas tij, ka prodhuar perceptim të mungesës së barazisë para ligjit.
Qelaj vë në dukje se të gjithë të akuzuarit deri më tani janë të përkatësisë së njëjtë etnike, gjë që ngre dyshime serioze për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit, pa sqarime të mjaftueshme për publikun vendor dhe ndërkombëtar.
Në reagim përmendet edhe mbështetja që Gjykata Speciale i ka dhënë materialeve të paraqitura si "libra të botuar", që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas Avokatit të Popullit këto botime kanë prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore.
