Kosovë, arrestohet një person i dyshuar për përdhosje të flamurit të Turqisë
"D.Z. dyshohet edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", thuhet në njoftim
Prishtinë
Një person është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale nga Policia e Kosovës – Departamenti Kundër Terrorizmit, në orët e vona të së enjtes, nën dyshimin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, transmeton Anadolu.
Prokuroria njofton se sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari me inicialet D.Z. pretendohet se para disa ditësh, në një hapësirë publike në Mitrovicën e Jugut, ka përdhosur flamurin e Turqisë.
"D.Z. dyshohet edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim në koordinim me Policinë e Kosovës - Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicë Jugu dhe ai i Hetimeve të Drejtorisë Kundër Terrorizmit.
