Kosovë, arrestohen tre persona në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër krimit kibernetik
Sipas hetimeve, të dyshuarit, gjatë periudhës 2023–2025 duke shfrytëzuar njohuritë e tyre teknologjike dhe duke vepruar nën nofka dhe emra të rremë, kanë siguruar në mënyra të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale
Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, transmeton Anadolu.
Policia ka bërë të ditur se operacioni i koordinuar nga EUROPOL, në të cilin kanë marrë pjesë disa shtete të botës, përfshirë autoritetet kosovare, në Kosovë ka rezultuar me arrestimin e tre personave.
Operacioni në Kosovë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u zhvillua në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë ndaluar për 48 orë personat: A.R., A.K. dhe R.H., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik’ dhe ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’”, thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve, të dyshuarit, gjatë periudhës 2023–2025 duke shfrytëzuar njohuritë e tyre teknologjike dhe duke vepruar nën nofka dhe emra të rremë, kanë siguruar në mënyra të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale.
Këto të dhëna më pas janë publikuar në platformën online “LEAKBASE.IO”, me qëllim shitjen dhe përfitimin material, si dhe duke u mundësuar personave të paautorizuar përdorimin e tyre "për qëllime kriminale".
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe pajisje të ndryshme elektronike.
Ky operacion është pjesë e një operacioni ndërkombëtar policor (OP LEAK), i cili është zhvilluar në mënyrë të koordinuar dhe të njëkohshme në SHBA, Britani e Madhe, Australi, Gjermani, Kosovë, Rumani, Poloni, Portugali, Kanada, Malajzi, Greqi, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
