Kosovë, arrestohen 39 persona të dyshuar për keqpërdorime në Byronë e Sigurimit
"Ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë bërë dokumente të falsifikuar. I kanë shkaktuar dëm Byrosë 1.043.000 euro", tha kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Petrit Kryeziu
Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar 39 persona pas një aksioni të iniciuar nga Prokuroria Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), transmeton Anadolu.
Prokuroria Themelore në Prizren tha gjatë një konference për media se aksioni i sotëm kishte në shënjestër 46 persona dhe përfundoi me arrestimin e 39 prej tyre.
Në mesin e të arrestuarve u bë e ditur se janë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS, Valon Berisha, pas një aksioni të zhvilluar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeprokurori I Prokurorisë në Prizren, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se hetimet për këtë çështje i kanë nisur në marsin e vitit 2025. Ai ka thënë se ekziston dyshimi se Mazreku dhe Berisha duke keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja i kanë mundësuar vetes fitime të mëdha dhe i kanë shkaktuar dëm Byrosë mbi 1 milion euro ndërsa këto keqpërdorime ata dyshohen se i bënë përmes personave të ndryshëm.
"Ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë bërë dokumente të falsifikuar. I kanë shkaktuar dëm Byrosë 1.043.000 euro. Kemi hasur në 166 transaksione të dyshimta ku 25 kanë të bëjnë me 12 personat me të cilët kishin arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse si autorizues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion. Dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023, teksa personat kanë qenë të kompensuar në vitet e mëhershme", ka deklaruar Kryeziu.
Sipas tij, shuma më e vogël e tranksasioneve ka qenë afër 7 mijë euro ndërsa më larta rreth 68 mijë euro.
Kryeziu ka treguar edhe se çka u sekuestrua gjatë aksionit të sotëm.
"Kemi sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme, armë, pajisje elektronike dhe gjithashtu kemi pasur bashkëpunim e koordinim të ngushtë me Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe kemi arritur t'i bllokojmë të hollat në vlerë prej 1.300.886 euro", tha ai.
Aksioni u zhvillua lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: "keqpërdorim i besimit", "keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike", "ndihmë në keqpërdorim të besimit" dhe "falsifikim të dokumentit".
