BALLKANI

Kosovë, apel që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije

"Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës", thuhet në njoftimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)

Dzihat Aliju  | 02.09.2025 - Përdıtësım : 02.09.2025
Kosovë, apel që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije Foto: Erkin Keçi/AA

Shkup

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bëri thirrje qytetarëve që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, mos ta përdorin atë për pije, duke bërë të ditur se është vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit, transmeton Anadolu.

"Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021, cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut", thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

"Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës", shtoi më tej njoftimi.

IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. "Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit", thanë nga IKSHPK.

IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me Kompaninë Ujësjellësi Rajonal Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

Sipas njoftimit KRU "Prishtina" ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme, përfshirë zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit, intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın