Kosovë, aktakuzë ndaj dy personave lidhur me rrënimin e monumentit "Saraji i Vjetër" në Prizren
- Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore "Saraji i Vjetër"

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit "Saraji i Vjetër" në qytetin e Prizrenit, transmeton Anadolu.
Aktakuza është ngritur ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit të Prizrenit, Egzona Thaçi.
Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore "Saraji i Vjetër", duke lejuar rrënimin e kompleksit që ishte në kuadër të mbrojtjes së përhershme si monument kulturor.
Sipër përllogaritjeve të Prokurorisë, dëmi i cili u shkaktua në trashëgiminë kulturore kap shifrën e afër 16 milionë eurove.
"I pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi 'Saraji i vjetër' në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore 'Saraji i vjetër' në Prizren", thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se këto vendime të marrë nga zyrtarët komunal janë në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin e trashëgimisë kulturore si dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.
Monumentet në kompleksin "Saraji i Vjetër" në Prizren u rrënuan vitin e kaluar. Tre muajve pas rrënimit të shumicës së monumenteve Ministria e Kulturës përgatiti dosjen e nevojshme për të kërkuar përgjegjësi penale.
Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, u dorëzua kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kompleksi "Saraji i Vjetër" njihet si aset me vlera historike ku ruhen gjurmë të objekteve nga shekulli 19 dhe 20, duke filluar nga ndërtesat e periudhës Osmane, për të vazhduar me ndërtesa të periudhës moderne.
Ky kompleks kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme si monument dy muaj para se të rrënohej ndërsa cilësohet si një nga hapësirat me vlera historike dhe estetike. Ai u rrënua më datë 27 maj 2024 nga një pronar privat me qëllim të ndërtimit të një kompleksi banesor, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit të cilët dhanë leje të rrënimit të këtij kompleksi.