Kosova synon të plotësojë vendet e lira të punës me arsimin dual të nxënësve
Kryeministri Albin Kurti tha se duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual tashmë në 12 profile në 21 shkolla në 14 komuna anekënd Kosovës, do të plotësohen vendet e lira të punës

Prishtinë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lançuar fushatën "Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve", raporton Anadolu.
Në hapjen e kësaj fushate morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të arsimit në vend.
Kryeministri Kurti tha se Kosova vitin 2023 mund ta përmbyllë me 3,8 për qind rritje ekonomike ndërsa inflacioni është më i ulëti në Ballkan, gjë që dëshmon, sipas tij, për menaxhimin e mirë ekonomik të Qeverisë së Kosovës.
Kurti tha se duke zhvilluar dhe pilotuar sistemin dual tashmë në 12 profile në 21 shkolla në 14 komuna anekënd Kosovës, do të plotësohen vendet e lira të punës.
"Ne kemi nevojë si shoqëri për profesionalizëm joakademik. Pra, për njerëz që kryejnë punë për rritje ekonomike, për mirëqenien familjare e për dinjitetin individual", theksoi Kurit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ky projekt është kulmim dhe angazhim i një punë dyvjeçare. Ajo tha se koncepti i arsimit dual dikur shihej me dyshim dhe rezerva ndërsa sot është kthyer në vlerë për shkak të evoluimit të shoqërisë.
"Arsimi dhe aftësimi profesional u jep zgjidhje dhe drejtim shumë ekonomive të zhvilluara në botë dhe si i tillë, arsimi dual është edhe një prej mënyrave përmes të cilave Kosova po ecë në hap me vendet tjera të zhvilluara", theksoi Nagavci.
Ky projekt po bëhet në bashkëpunim midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë. Me këtë rast Kosova po implementon modelin gjerman të të mësuarit dual për të integruar praktikat më të mira me kontekstin kosovar i cili i përgjigjet nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë kosovare.
Në Kosovë mësimi dual, i cili para një viti filloi si pilot-projekt, tani do të jetë në 12 profile sikurse: Kuzhinier, Asistent i mikpritjes hoteliere (kamarier), Floktar, Murator, Rrobaqepës, Automekanik, Metal përpunues, Përpunues i drurit, Instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, Instalues elektrik, Tregti me shumicë dhe pakicë dhe Estetist.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.