Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve
- Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci tha se synohet të bëhet një porosi e vetme për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Tre shtetet e Ballkanit, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, janë duke punuar për konkretizimin e marrëveshjes së nënshkruar më 18 mars në fushën e mbrojtjes, me blerje të përbashkët të armëve, raporton Anadolu.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, konfirmuan një gjë të tillë për Anadolu.
"Po është e vërtetë. Në përputhje me kërkesat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrive të shteteve partnere nënshkruese të kësaj marrëveshjeje po përgatiten edhe planet e bashkëpunimit", tha zëdhënësja e ministrisë, Liridona Gashi.
Ministrat e Mbrojtjes së tre shteteve në deklaratën e parë të marrëveshjes u zotuan për blerjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Në këtë aspekt, ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci tha për mediat se synohet të bëhet një porosi e vetme për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet. Ai shtoi se në SHBA kur blen më shumë, armët kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejtë, derisa sqaroi se blerjet parashihet të bëhen me fonde kombëtare të secilit shtet.
Ai pret që shtetet partnere në këtë marrëveshje do të ndihmojnë Kosovën drejt integrimit euroatlantik, siç thotë se zotohen në deklaratë, në mënyrë specifike sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.
Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t'u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Serbia e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje trilaterale, pas nënshkrimit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se "me këtë marrëveshje shkelet marrëveshja nënrajonale e vitit 1996". Ai shtoi se "marrëveshja do të mund të pasonte me një afrim të mëtejshëm drejt krijimit të një aleance ushtarake midis Serbisë dhe Hungarisë".