Sport, BALLKANI

Kosova shkruan emrin e saj me shkronja ari në Lojërat Olimpike përmes xhudos

Shteti i vogël i Kosovës fitoi 3 medalje të arta olimpike në garat e xhudos

Mutlu Demirtaştan   | 28.07.2021
Kosova shkruan emrin e saj me shkronja ari në Lojërat Olimpike përmes xhudos

Stamboll

Shteti i vogël i Kosovës, një nga shtetet më të reja në botë, mund të jetë krenar për performancën e tij në Lojërat Olimpike këtë vit, pasi po sjell në shtëpi dy medalje të arta në xhudo nga Lojërat e Olimpike "Tokio 2020", raporton Anadolu Agency (AA).

Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) në vitin 2014, këtë vit po garon në Lojërat Olimpike për herë të dytë në historinë e saj.

Përkundër historisë së saj të shkurtër, Kosova, vendi më i ri i Evropës, filloi të bëjë emër në arenën ndërkombëtare me mbi 1.000 xhudistë të licencuar.

Një emër për t’u kujtuar: Driton Toni Kuka

Kur flasim për historinë e xhudos në Kosovë, Driton Toni Kuka është ai që hapi rrugën për suksesin aktual të vendit.

Kuka ishte ndër sportistët më të rëndësishëm në Ekipin Kombëtar të Xhudos së ish-Jugosllavisë para Lojërave Olimpike të Barcelonës në 1992.

Por, ëndrra e tij për medalje nuk u realizua, pasi Jugosllavia u zhyt në luftë dhe atletët e Kosovës nuk mund të merrnin pjesë në lojëra.

Kuka më vonë kontribuoi në vendin e tij duke themeluar akademinë e xhudos.

Atletët që ai stërviti atje i hapën rrugën Kosovës që të bëjë emër përmes sportit, edhe pse ende nuk njihet nga disa vende.

Tre medalje të arta olimpike, të gjitha në xhudo

Me tre medalje të arta olimpike, Kosova i mori të gjitha në xhudo.

Kosova fitoi medaljen e saj të parë olimpike në Lojërat Olimpike "Rio 2016" me Majlinda Kelmendin në kategorinë 52 kilogram për femra.

Në "Tokio 2020", Kosova mori medaljen e artë po ashtu në kategorinë për femra me Distria Krasniqin 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në 57 kilogram.

Në fund të tre ditëve të para të "Tokio 2020", Kosova kishte një renditje mbresëlënëse duke u radhitur e teta në tabelën e medaljeve.

Sukseset ndërkombëtare në xhudo

Kosova ka gëzuar suksese të mëdha në ngjarjet ndërkombëtare të xhudos.

Atletët kosovarë, të cilët kanë konkuruar në arenën ndërkombëtare që nga viti 2009, përveç suksesit të tyre në Olimpiadë, kanë fituar dy medalje të arta dhe katër bronzi në kampionatet botërore dhe katër medalje të arta, një argjendi dhe tre bronzi në turnetë Master.

Kosovarët gjithashtu fituan 26 medalje ari, 13 argjendi dhe 11 bronzi në Grand Prix dhe 12 ari, pesë argjendi dhe shtatë medalje bronzi në Grand Slam.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın