Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë
Edhe pse Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 vende, ajo përshkruhet si një nga rajonet me "konflikt të ngrirë" të Evropës për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë në veri dhe mosqenies anëtare e Kombeve të Bashkuara

Kosova
EREN BEKSAÇ
Kosova sot shënon 15-vjetorin e pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, pas një periudhe të mundimshme dhe të dhimbshme deri sa arriti mëvetësimin nga Serbia, raporton Anadolu.
Edhe pse Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 vende, ajo përshkruhet si një nga rajonet me "konflikt të ngrirë" të Evropës për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë në veri dhe mosqenies anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Shpërbërja e Jugosllavisë dhe Lufta e Kosovës
Pas epokës së liderit themelues Josip Broz Tito në Jugosllavi, polarizimi midis komuniteteve, që ishte një nga problemet kryesore të vendit, u rrit më tej me vdekjen e Titos dhe ia la vendin konflikteve, ndërsa aktualiteti i Ballkanit në vitet 1990 ishtin luftërat e pavarësisë.
Pasi Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina shpallën pavarësinë nga Jugosllavia, ideja e pavarësisë u intensifikua në Kosovë, që deri në vitin 1989 kishte statusin e një rajoni autonom.
Shqiptarët formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të luftuar nacionalizmin serb në rritje të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, gjë që do të luante rol të rëndësishëm në pavarësinë e vendit.
Sulmet e ndërmarra nga ushtria, policia dhe njësitë paraushtarake serbe kundër UÇK-së në pjesë të ndryshme të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-99, përfunduan pasi NATO, e cila donte të mos përsëriste gabimet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërmori operacion kundër ish-Jugosllavisë, fillimisht nga ajri dhe më pas nga toka.
Në këtë luftë, nëpërmjet të cilës Kosova u pastrua nga ushtria serbe, u vranë më shumë se 10 mijë kosovarë, kryesisht shqiptarë, dhe më shumë se 1 milion kosovarë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre.
Rruga drejt pavarësisë
Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si "Trazirat e Marsit", 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
Në vitin 2005, sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan, e emëroi Martti Ahtisaari-n si përfaqësues special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar "autonomi të mbikëqyrur".
Në linjë me Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar në vend, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë.
Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Türkiyen, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë dhe Kinës, Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë ulëse (anëtarësim) në OKB.
Mundësia e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vitin e kaluar e ka dorëzuar kërkesën e vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një prononcim lidhur me aplikimin tha se Republika e Kosovës ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE, duke realizuar ëndrrën dhe dëshirën e popullit për ta parë vendin si pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
Pasi Spanja dhe Suedia si kryesues të radhës të BE-së nuk janë shumë të prirur për integrimin e Kosovës, parashikohet që procesi të mos përparojë me shpejtësi, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet parlamentare të BE-së që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Zyrtarët e BE-së për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës dhe Serbisë në union, i kushtëzon këto dy vende që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që do të zgjidhte problemet mes tyre.
Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian gjithashtu kanë rënë dakord për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe nëse procesi përfundon pa probleme, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në rajoninin e Shengenit nga 1 janari 2024.
Kosova gjithashtu ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas dëbimit të Rusisë për shkak të sulmeve të saj ndaj Ukrainës dhe vendi synon të bëhet anëtar i programit të Partneritetit për Paqe këtë vit, i cili është një parakusht për anëtarësimin në NATO.
Struktura demografike dhe regjistrimi i popullsisë
Kosova njihet si “shteti më i ri në Evropë”, si në aspektin e të qenit shtet që është bërë i pavarur së fundmi, ashtu edhe për nga mosha e popullsisë.
Kosova ka popullsi prej 1 milionë e 780 mojë banorësh. Gjashtë yjet e bardha në flamurin e Kosovës në sfond blu dhe harta e verdhë e Kosovës poshtë tyre, përfaqësojnë gjashtë komunitetet që jetojnë në vend (shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, goranët dhe romët), por komunitetet kanë të drejtë të përdorin edhe flamurin e shtetit të tyre amë krahas atij të Kosovës.
Regjistrimi që do të mbahet në shtator në Kosovë ka një rëndësi të madhe, duke marrë parasysh rritjen e migrimit në vendet perëndimore në vitet e fundit. Të drejtat e përfaqësimit të komuniteteve që jetojnë në vend përcaktohen në bazë të rezultateve të regjistrimit.
Tensionet e pazgjidhura në veri të Kosovës
Mosmarrëveshjet me serbët që jetojnë në veri të Kosovës kanë bërë që rrugët të mbyllen shumë herë me barrikada gjatë viteve të fundit dhe të rriten tensionet.
Barrikadat zakonisht ngrihen në përgjigje të operacioneve të kryera nga policia e Kosovës në veri dhe vendimeve të marra nga qeveria e Kosovës. Zyrtarët e Kosovës argumentojnë se barrikadat organizohen nga Serbia, por Serbia i mohon këto akuza.
Çdo tension në këtë rajon, sidomos gjatë luftës ruso-ukrainase, pashmangshëm bën që njerëzit të pyesin se “A mund të shpërthejë lufta përsëri?".
Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR-i, aktualisht garanton sigurinë e vendit, por njëkohësisht Kosova vazhdon të zgjerojë dhe zhvillojë Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilën e themeloi për të mbrojtur integritetin e saj territorial.
Negociatat Kosovë-Serbi dhe plani franko-gjerman
BE-ja kërkon që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që mund të zgjidhë çështjet mes dy vendeve për përparimin e procesit të integrimit në Union.
Palët së fundmi janë duke negociuar mbi një tekst të njohur në publik si plani franko-gjerman, i mbështetur nga SHBA-ja dhe të gjithë vendet anëtare të BE-së.
Sipas planit të siguruar nga mediat, Kosova duhet të lejojë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nga ana tjetër, nga Serbia para se të njohë Kosovën si një shtet i pavarur, i kërkohet që të respektojë integritetin territorial dhe të lejojë anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.
Serbia dhe Kosova janë përpjekur prej vitesh të gjejnë një rrugë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimisht për njohjen reciproke, si pjesë e Procesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, të nisur në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së.
Zyrtarët e BE-së shpresojnë që negociatat mbi Planin Franko-Gjerman të përfundojnë në pranverë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.