Kosova “pranon të strehojë” emigrantë që do të dëbohen nga SHBA-ja
Qeveria tha se në Kosovë mund të strehohen përkohësisht deri në 50 persona për një periudhë 1-vjeçare, që të lehtësojë kthimin e sigurt të tyre në vendin e prejardhjes

Shkup
Qeveria në detyrë e Kosovës ka bërë të ditur se është e gatshme të bashkëpunojë për pranimin e përkohshëm të emigrantëve që do të dëbohen nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Në një përgjigje për mediat vendase, qeveria tha se në Kosovë mund të strehohen përkohësisht deri në 50 persona për një periudhë 1-vjeçare, që të lehtësojë kthimin e sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.
“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, tha qeveria në përgjigjen e saj.
Më tej, thuhet se qeveria ka shprehur gatishmërinë që “të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”.
Qeveria ka theksuar se SHBA-ja mbetet aleate e palëkundur e Kosovës.
Disa ditë më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, bëhet fjalë për emigrantë kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.