Kosova në prag të shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare
Baraliu, profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Anadolu pas dështimit që të emërohet Qeveria e re në krye me Kurtin më 26 tetor, ka bërë të ditur se tani i takon presidentes të ndërmarrë veprime
Prishtinë
Kur kanë kaluar mbi tetë muaj e gjysmë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova është në prag të shpalljes së zgjedhjeve të reja për shkak të gjasave të vogla për formimin e një qeverie të re.
Profesori universitar i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Mazllum Baraliu, në një bisedë me Anadolu pas dështimit që të emërohet Qeveria e re në krye me Albin Kurtin më 26 tetor, ka bërë të ditur se tani i takon presidentes të ndërmarrë veprime.
Sipas Baraliut, presidentja bazuar në Kushtetutën e Kosovës, e ka për detyrë t'i jap besimin për formimin e qeverisë dikujt të dytë në Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë, apo edhe të kalojë tek një i propozuar nga partia e dytë fituese e zgjedhjeve, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
"Presidentja do të duhej dhe do të mund që në bazë të praktikës kushtetuese dhe Kushtetutës, që dikujt të dytë në koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje t'ia japë besimin për të formuar Qeverinë, në qoftë se është e bindur se i ka numrat dhe mund ta bëjë këtë. Në qoftë se jo, atëherë i takon partisë së dytë fituese të zgjedhjeve të fundit, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila do të mund që brenda 10 ditësh, sipas Kushtetutës, nenit 95 të saj, ta bëjë një kabinet qeverisës dhe të mbahet seanca përkatëse në të cilën mund të votohet nëse janë mbi 61 vota", thotë Baraliu.
Sipas profesorit universitar, nëse as partia e dytë me e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk arrin ta formojë qeverinë e re, atëherë është afati tjetër kushtetues ku thuhet se në një kohë prej 40 ditësh, presidentja është e detyruar t'i shpallë zgjedhjet e reja parlamentare.
- Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të bëjë përpjekje ta zgjedh qeverinë e re me një të propozuar të dytë
Për Baraliun, Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të bëjë përpjekje ta zgjedh qeverinë e re me një të propozuar të dytë, ashtu sikurse u zgjodh kryetari i Kuvendit të Kosovës, pasi u propozua Dimal Basha në atë pozitë dhe mori votat edhe të PDK-së.
Ai thotë se urgjenca e Kosovës për formimin e qeverisë së re është e jashtëzakonshme dhe Kosova është vonuar dhe dëmtuar shumë për mungesë të qeverisë, nga kasta politike aktuale, apo nga 120 deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit.
"Të gjithë në një mënyrë a tjetër kanë qenë neglizhent dhe të papërgjegjshëm sa duhet për të respektuar interesin shtetëror dhe qytetar dhe jo interesat partiake, grupore, individuale, politike për pushtet dhe beneficione të ndryshme, të cilat kjo klasë politike, sidomos opozita e deridjeshme është mësuar t'i gëzojë dhe tani nuk mund të rrijë pa to. Ndërkohë këta që kanë qeverisur mbi katër vjet e gati pesë vjet, këta po ashtu nuk kanë pasur si duket ende të akseptuar sensin e kujdesit me partnerët dhe rivalët politikë për të bashkëpunuar më tepër për të formuar mundësi dhe opsione dhe jo për t'i larguar dhe për të krijuar një atmosferë polarizimi deri në izolim të subjektit politik fitues", thotë Baraliu.
Tutje, Baraliu thotë edhe opozita, e cila nuk po ndihmon që të formohet qeveria e re por edhe nuk po shpreh gatishmëri që ta bëjë vet një korpus me 61 deputetë, flet edhe më shumë për papërgjegjshmërinë e klasës politike në vend.
"Kjo flet që kjo klasë politike është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe po e dëmton vendin me këtë dhe nuk po e kupton pse po e dëmton, por po vazhdon edhe më tutje të sillet sikur ky shtet dhe kjo tokë është feud i tyre, secilit prej tyre dhe po e shkelin Kushtetutën duke akuzuar njëri-tjetrin dhe fajësuar në mënyrën më të paskrupullt dhe papërgjegjshme të mundshme", theksoi ai.
Në fund, ai shtoi se gjithë kjo situatë, do të shënohet në historinë e demokracisë kosovare si një pikë e zezë e gjithë shoqërisë, veçanërisht e klasës politike aktuale.
- Opozita pa sinjale për bashkëqeverisje mes PDK-së e LDK-së
Megjithëse kanë mbetur edhe pak ditë që të konsumohet afati kushtetues kur dikush nga partia e dytë mund të propozohet për kryeministër i vendit, partia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në Kuvend, PDK dhe LDK, nuk kanë dhënë sinjale për ndonjë bashkëpunim në këtë aspekt.
PDK-ja gjatë muajit mars ishte shprehur e gatshme që në rast se Kurti nuk i ka numrat për formimin e qeverisë, ajo do ta bënte qeverinë e re, por, pas dështimit të Kurtit të dielën, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se përpjekjet e tij për formimin e një qeverie PDK-LDK dhe partitë tjera, nuk kanë rezultuar me sukses.
"Nëse na thërret presidentja dhe na pyet se a keni shumicë të re, unë do t'i përgjigjem menjëherë me 'jo' dhe nuk do të tentojmë që të bëjmë një shumicë të re, sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme", deklaroi Krasniqi.
Partia e tretë më e madhe, LDK, refuzoi ofertën për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar mungesën e besimit, derisa ajo propozoi ngritjen e një kabineti tranzitor që të qeverisë deri te zgjedhja e presidentit, në pranverë 2026, por as për këtë nuk pati pajtim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media të mbajtur një ditë pas dështimit që të emërohej kryeministër i ri nga Kuvendi i Kosovës, tha se LDK-së e Nismës për Kosovën u kishte bërë ofertë për bashkëpunim, por jo edhe subjekteve tjera politike, pasi konsideroi se "nuk është mirë për shtetin".
Madje Kurti tha se duke pas parasysh atmosferën që ka shoqëruar sferën politike që nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 e deri në dështimin e parë për formimin e Qeverisë së re, nuk sheh mundësi që bashkëpunim me subjektet politike te ketë pas zgjedhjeve që eventualisht mund të mbahen në dhjetor.
Sipas Kurtit, do të ishte për keqardhje që, përveç zgjedhjeve eventuale në dhjetor, të mbaheshin zgjedhje edhe në pranverë, atëherë kur skadon mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani dhe për votimin e presidentit të ri nevojiten 80 vota dhe jo 61 sa duhen për formimin e qeverisë së re.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
