BALLKANI

Kosova merr udhëheqjen e Grupit Drejtues për Zhvillim Rural

"Unë sugjeroj të mos dorëzohemi dhe të mbesim të qëndrueshëm në udhëtimin tonë të përbashkët", tha Drejtori i Zhvillimit Rural pranë Komisionit Evropian, Mario Milouchev

Agim Sulaj  | 12.11.2019 - Përdıtësım : 13.11.2019
Kosova merr udhëheqjen e Grupit Drejtues për Zhvillim Rural ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore është mbajtur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, me ç’rast Kosovës i është dorëzuar presidenca për udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillim Rural Rajonal për periudhë njëvjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi vjetor i ministrave dhe përfaqësuesve nga Evropa Juglindore po mbahet për herë të dytë në Prishtinë, ndërsa ka për synim informimin për të arriturat dhe hartimin e planeve konkrete për zhvillim rural.

Drejtori i Zhvillimit Rural pranë Komisionit Evropian (KE), Mario Milouchev, në fjalimin e tij në aktivitet, pasi uroi Kosovën për marrjen e udhëheqjes njëvjeçare të këtij grupi punues, tha se përmes këtij grupi mund të diskutohet rreth formulimit të politikave rajonale rurale të duhura.

Milouchev, theksoi rëndësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE) për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë e cila reflekton në progresin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ai bëri thirrje të bashkohen energjitë e vendeve të Ballkanit për t’i tejkaluar pengesat në rrugën e integrimit drejtë BE-së.

"Ne duhet të koncentrojmë energjinë tonë së bashku, për t’i tejkaluar vështirësitë dhe pengesat. Unë sugjeroj të mos dorëzohemi dhe të mbesim të qëndrueshëm në udhëtimin tonë të përbashkët", theksoi ai duke shtuar se fondet e IPA-s të kombinuara me burimet vendase dhe përpjekjet personale duhet të shërbejnë për t’i arritur objektivat finale.

"Pra, të reformohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, sigurimi i sundimit të ligjit dhe përfundimisht anëtarësimi në BE", tha Milouchev.

Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Dijana Zivic tha se institucionet e Kosovës do të punojnë që vitin e ardhshëm të forcojnë bashkëpunimin si dhe në takimin e ardhshëm të grupeve punuese të flitet vetëm për rezultate të mira.

"Besoj se, sa i përket institucioneve të Kosovës që udhëhiqen nga ne do të provojmë që deri në vitin tjetër të forcojmë bashkëpunimin me organizatat, me takimet e grupeve punuese për zhvillim rural të Evropës. Besoj se vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të flasim për rezultatet e kësaj", tha Zivic.

Grupi Drejtues i Punës për Zhvillim Rural Rajonal është një organizatë ndërqeveritare dhe ndërkombëtare, e cila është e lidhur me institucionet qeveritare për zhvillimin rural në shumë vende të Evropës Juglindore. Synimi i saj është që të ofrojë bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet Ministrive për Bujqësi, në kuadër të përgjegjësive të tyre drejt procesit integrues në BE.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın