Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin me 2 sportistë
“Në Olimpiadën e Pekinit marrin pjesë 90 shtete, që do të thotë se 105 shtete të tjera nuk kanë arritur të kenë sportistë, kjo neve na bënë krenarë”, tha presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi

Prishtinë
Skitarët Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore "Pekin 2022", raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media të mbajtur nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe sekretari i KOK-ut, Besim Aliti, u bë e ditur se Kosova për herë të parë po garon me dy sportistë në lojëra olimpike dimërore.
Presidenti i KOK-ut, Krasniqi tha se skitarja Kiana Kryeziu është vajza e parë nga Kosova që merr pjesë në lojëra të tilla.
“Në Olimpiadën e Pekinit marrin pjesë 90 shtete, që do të thotë se 105 shtete të tjera nuk kanë arritur të kenë sportistë, kjo neve na bënë krenarë që përkundër që vendi ynë ka infrastrukturë jo të mirë ka arritur të ketë dy sportistë të kualifikuar në këto gara dhe kjo është vërtetë një e arritur shumë e madhe”, tha Krasniqi.
Kryetari i Federatës së Skitarëve në Kosovë, Milaim Kelmendi, e quajti historike dhe të rëndësishme pjesëmarrjen e ekipit kosovar në lojëra olimpike.
Ai tha se garuesit që vijnë nga kjo federatë, kanë pasur mbështetje financiare vazhdimisht nga autoritetet e vendit.
“Realisht kemi pesë garues që kanë hyrë në normën olimpike, por, këta dy garues që kanë pasur fatin të jenë me normat më të mira do të jenë pjesë e olimpiadës. E quaj arritje, shkaku që, Federata e Skitarëve e Kosovës gjatë këtyre 20 viteve ka arritur që të bashkërenditet me të gjitha shtetet e Ballkanit të cilat janë shtete nga 300 vjet e 600 vjet”, tha Kelmendi.
Të dy skitarët e skijimit alpin, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, kanë përmbushur normat olimpike në ciklin kualifikues, i cili u mbyll të dielën.
Tahiri, 32-vjeçar, ka fituar katër norma olimpike në disiplinat e sllallomit, sllallomit të madh, kombinimit alpin dhe lëshimit. Ndërsa, Kryeziu, 17-vjeçare, është kualifikuar në disiplinën e sllallomit të madh.
Ekipi Olimpik i Kosovës ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore "PyeongChang 2018", me sportistin e vetëm, Albin Tahiri, i cili kishte garuar në pesë disiplinat e skijimit alpin.
Sikurse edhe homologët e saj nga SHBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, edhe Kosova ka deklaruar se do t’i bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin në aspektin diplomatik.
Presidenca e Kosovës ka deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do t’i bojkotojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare gjatë Lojërave Olimpike në Pekin.
Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin të Kinës do të mbahen nga 4 shkurti deri më 20 shkurt 2022.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.