BALLKANI

"Kosova me pjesëmarrje të ulët të grave në sektorin e sigurisë"

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se statistikat tregojnë se pjesëmarrja e grave në institucionet shtetërore të sigurisë është e ulët në pjesëmarrje dhe vendimmarrje

Agim Sulaj  | 09.12.2021 - Përdıtësım : 10.12.2021
"Kosova me pjesëmarrje të ulët të grave në sektorin e sigurisë"

Prishtinë

Sipas një raporti të publikuar në kuadër të konferencës “Gratë në sektorin e sigurisë: ndërmjet sfidave dhe mundësive”, të mbajtur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, gratë bëjnë pjesë me një përqindje të ulët në sektorin e sigurisë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca, që u organizua nga Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese Antena në Kosovë së bashku me organizatën "She Solutions", synoi trajtimin e rëndësisë së pjesëmarrjes së grave në fushën e sigurisë, me fokus të veçantë pjesëmarrjen e tyre në pozitat vendimmarrëse.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila ishte e pranishme në konferencë, tha se statistikat tregojnë se pjesëmarrja e grave në institucionet shtetërore të sigurisë është e ulët në pjesëmarrje dhe vendimmarrje.

Bogujevci tha se bazuar në këto të dhëna Kosova “është larg nga gjendja e dëshiruar”, por shtoi se dy ministritë, ajo e Mbrojtjes dhe e Punëve të Brendshme, tani janë duke punuar në mënyrë që të ketë përmirësim në nivelin e barazisë gjinore nëpër institucione.

“Aktualisht në institucione publike në nivel vendi statistikat tregojnë se përfaqësimi i gruas është ende në nivel të ulët në pjesëmarrje të përgjithshme, por edhe më i ulët në nivel vendimmarrës”, tha Bogujevci.

Nga statistikat e raportit të publikuar në këtë konferencë u njoftua se nga totali i stafit në Policinë e Kosovës punojnë gjithsej 14,92 për qind gra dhe vajza apo 1.361 nga 9.119 persona gjithsej.

Ndërkaq, duke përfshirë numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (fsk), gratë dhe vajzat në uniformë përbëjnë 11,04 për qind dhe kjo shifër është rritur gradualisht nga viti 2009.

Sa i përket Shërbimit Korrektues të Kosovës, sipas shifrave gratë dhe vajzat në këtë institucion përbëjnë vetëm 13 për qind të stafit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.