BALLKANI

Kosova ka hapur regjistrimin e votuesve jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit

KQZ tha se aplikimi do të jetë i hapur nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor dhe shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes platformës elektronike të saj

Agim Sulaj  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Kosova ka hapur regjistrimin e votuesve jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Prishtinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, raporton Anadolu.

KQZ tha se aplikimi do të jetë i hapur për 11 ditë, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, dhe shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të institucionit në Kosovë.

Gjatë regjistrimit, votuesit kanë mundësinë të zgjedhin mënyrën e votimit: fizikisht në një nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, duke dërguar fletëvotimin me postë në adresën e KQZ-së në Kosovë ose duke e dërguar atë në njërën nga kutitë postare që KQZ do të hapë jashtë vendit.

Sipas KQZ-së, në rast se kapaciteti maksimal i një përfaqësie diplomatike plotësohet, aplikuesit do të udhëzohen të përdorin njërën nga mënyrat e votimit me postë.

Institucioni sqaron se kjo periudhë e regjistrimit vlen vetëm për shtetasit që duan të votojnë nga jashtë Kosovës, ndërsa ata që zgjedhin të votojnë brenda vendit nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.

Personat që regjistrohen për të votuar nga jashtë do të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës dhe emri i tyre do të figurojë vetëm në listën votuese jashtë vendit.

Ndërkohë, qytetarët që jetojnë jashtë vendit, por nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë, mbeten në listën e rregullt të votuesve brenda Kosovës.

Sipas afateve të përcaktuara, votimi në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet më 27 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, nga ora 07:00 deri në 19:00 sipas kohës lokale. Ndërsa votimi përmes postës do të zhvillohet nga 12 deri më 27 dhjetor 2025 për të cilin KQZ njofton se adresat e kutive postare do të publikohen në vijim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.