Kosova kërkon nga Serbia kthimin e pjesëtarëve të grupit terrorist që po trajtohen në Novi Pazar
"Sipas informatave të deritanishme, gjashtë terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe ne kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojë tek autoritetet e Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste", tha Sveçla

Mitrovicë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë prezantuar në Mitrovicë armatimin e rëndë, automjetet dhe pajisjet e tjera ushtarake të përdorura nga grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, raporton Anadolu.
Ministri Sveçla në fjalën e tij tha se Kosova po ballafaqohet me agresionin e një shteti që ka shkaktuar katër luftëra në dy-tre dekadat e fundit. Ai tha se bëhet fjalë për "grupe të organizuara, të financuara dhe të mbështetura në të gjitha mënyrat" nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe instrumentet e tjera shtetërore të Serbisë.
Sveçla tha se me aksionin policor është parandaluar një aksion mjaft i rëndë për Kosovën, derisa i kërkoi Serbisë që t’i dorëzojë sulmuesit e policisë në autoritetet kosovare.
“Sipas informatave të deritanishme, gjashtë terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe ne kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojë tek autoritetet e Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Po ashtu edhe çfarëdo pjesëtari i këtij grupi, i cili ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia që ta dorëzojë”, theksoi Sveçla.
Më tej, Sveçla tha se në materialet e konfiskuara nga policia janë gjetur edhe dokumente të kriminelit Milan Radojçiq, i cili është po ashtu edhe në listë të zezë të SHBA-së.
Ministri kosovar tha se nga sasia e armatimit lehtësisht kuptohet se ka pasur një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e Kosovës, ku ndër armët e konfiskuara ka edhe armë ushtarake të vitit 2021 të Serbisë.(1) Kosova kërkon nga Serbia kthimin e pjesëtarëve të grupit terrorist që po trajtohen në Novi Pazar https://t.co/lCn4R2t6zX pic.twitter.com/UWtLSl6L0H
— Anadolu Shqip (@aa_albanian) September 25, 2023
Konfirmohet vdekja e personit të katërt që ishte pjesë e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës
Hoxha, nga ana e tij, tha se aksioni i djeshëm policor ndoshta është më i madhi që nga paslufta e Kosovës, ku u parandalua një grup me arsenal të madh armësh me qëllim të destabilizimit të vendit.
Hoxha, i cili në mënyrë kronologjike foli për ngjarjen e djeshme ku mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku, tha se aksioni policor po vazhdon ende. Ai njoftoi se deri më tani nga grupi terrorist janë konfiskuar një veturë e rëndë e blinduar, 24 vetura, dy motorë 4X4, 150 copë eksplozivë, tre dronë, 30 AK47, gjashtë mitralozë, 29 zolla të mbushura, mbi 100 uniforma ushtarake, si dhe po ashtu edhe mjete të punës si kazma, lopata, sharra të dorës.
Hoxha ka konfirmuar edhe vdekjen e personit të katërt që ishte pjesë e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që të ketë edhe më shumë të vdekur nga ky grup.(2) Kosova kërkon nga Serbia kthimin e pjesëtarëve të grupit terrorist që po trajtohen në Novi Pazar https://t.co/lCn4R2t6zX pic.twitter.com/G6XHj1I08o
— Anadolu Shqip (@aa_albanian) September 25, 2023
“Aktualisht Policia e Kosovës ka tre trupa të pajetë të cilët i përkasin grupit terrorist në posedim. Pas bastisjeve dhe kontrolleve që janë bërë sot është arritur të lokalizohet një trup që ka mbetur i vrarë gjatë luftimeve të djeshme. Mund të ketë edhe trupa të tjerë, mund të ketë edhe të vrarë të tjerë që kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes, aktualisht kemi në posedim tre trupa të vrarë”, theksoi Hoxha, i cili tha se policia kosovare është demokratike dhe nuk ka për qëllim eliminimin e njerëzve, përpos rasteve kur ajo sulmohet.
Në sulmin ndaj njësisë policore në orët e para të së dielës nga grupi prej rreth 30 personave të armatosur rëndë brenda dhe rreth Manastirit në Banjskë të Zveçanit, gjatë kryerjes së detyrës humbi jetën polici kosovar Afrim Bunjaku.
Gjatë të njëjtës ditë, organet e rendit në Kosovë konfirmuan se edhe tre pjesëtarë të këtij grupi u vranë dhe gjashtë të tjerë u arrestuan, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.