BALLKANI

Kosova i vendos sanksione të reja Federatës Ruse dhe Bjellorusisë

"Sanksionet konsistojnë në ngrirje te aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo etniteteve të sanksionuara", tha zëvendëskryeministri Bislimi

Agim Sulaj  | 16.05.2022 - Përdıtësım : 17.05.2022
Kosova i vendos sanksione të reja Federatës Ruse dhe Bjellorusisë

Prishtinë

Republika e Kosovës i ka vendosur sanksione Federatës Ruse dhe Bjellorusisë të cilat përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve të sanksionuar, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e transportit të mallrave në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha sot në mbledhjen e Qeverisë se Kosova është rreshtuar me aleatët perëndimorë dhe ishte ndër të parat që veproi me sanksione ndaj Rusisë.

"Sanksionet konsistojnë në ngrirje te aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo etniteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në Republikën e Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe etnitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde qoftë në mënyrë direkte qoftë indirekte për individët apo etnitetet e sanksionuara", tha Bislimi.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha se këto sanksione synojnë që të rrisin presionin ndaj qeverisë dhe ekonomisë ruse dhe të kufizojnë burimet e Kremlinit për agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.

Qeveria vendosi sanksione edhe ndaj Grupit Wagner, entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi, për të cilën zëvendëskryeministri Bislimi tha se aktivitetet e këtij entiteti janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Po ashtu, Qeveria ka bërë edhe shqyrtimin e propozim-vendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me marrjen e masave restriktive për terrorizëm ndaj DEASH-it dhe Al-Qaeda-s dhe personave fizikë e juridikë, subjekteve ose strukturave të tjera të lidhura me to.

Kosova për herë të parë i ka vendosur sanksione ekonomike dhe financiare Federatës së Rusisë më 25 shkurt të këtij viti, një ditë pasi kjo e fundit filloi agresionin ndaj Ukrainës.

Kryeministri Kurti tha pas miratimit të këtyre sanksioneve se ato janë në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe Këshillin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın