BALLKANI

Kosova i kërkon BE-së që të hiqen masat ndaj saj

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që rrjedhimisht, "masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen"

Agim Sulaj  | 22.04.2024 - Përdıtësım : 23.04.2024
Kosova i kërkon BE-së që të hiqen masat ndaj saj

Prishtinë

Qeveria e Kosovës në një reagim pas procesit të votimit në katër komunat veriore për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë shqiptarë, ka thënë se me përfundimin e këtij procesi, Republika e Kosovës përmbushi obligimin e saj ndaj qytetarëve dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e lëshuar për media, Qeveria e Kosovës ka kërkuar që rrjedhimisht, "masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen".

"Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen", thuhet në reagim.

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e së dielës dhe falënderoi ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.

"Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t'i shkarkuar kryetarët aktualë", thuhet në deklaratë.

Në korrik të vitit 2023, pas tensioneve në veri me fillimin e punës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe, BE-ja konfirmoi masat ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e mosndërmarrjes së veprimeve për deeskalimin e situatës nga pala kosovare.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tjera.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.