Kosova do të shpenzojë mbi 11 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Në mbledhjen e 83-të të KQZ-së për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, u miratua buxheti i planifikuar në vlerë prej 11,493,526 euro
Prishtinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës ka miratuar buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, si dhe ka miratuar qendrat e votimit për ditën e zgjedhjeve, transmeton Anadolu.
Në mbledhjen e 83-të të KQZ-së për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, u miratua buxheti i planifikuar në vlerë prej 11,493,526 euro.
KQZ-ja sqaroi se kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 euro, por vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës.
“Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84 mijë votues potencial”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për miratimin e qendrave të votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Në ditën e zgjedhjeve, procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, prej të cilave 910 qendra për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimin me kusht”, thuhet në njoftim.
Kosova zhvilloi zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt, por që atëherë nuk u arrit të formohej qeveria e re dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor të vitit 2025.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
