Kosova dhe Maqedonia e Veriut me vetëm një ndalesë në pikëkalimin kufitar Glloboçicë-Jazhincë
“Edhe kjo pikë e përbashkët kufitare do të funksionojë sipas parimit të kontrollit ‘Hyrje – Hyrje’, ashtu siç po funksionon suksesshëm ajo në Han të Elezit”, shkroi Sveçla

Prishtinë
Nga sot ka hyrë në fuqi marrëveshja që pika kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Glloboçicë – Jazhincë, të jetë vetëm me një ndalesë apo “one stop shop”, për qytetarët e të dyja vendeve, transmeton Anadolu.
Në inaugurimin e pikëkalimit të përbashkët midis dy shteteve fqinje, morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bashkë me zëvëndëskryeministrin e Parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti dhe ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski.
“Edhe kjo pikë e përbashkët kufitare do të funksionojë sipas parimit të kontrollit ‘Hyrje – Hyrje’, ashtu siç po funksionon suksesshëm ajo në Han të Elezit, të cilën e inauguruam me 12 prill të këtij viti bashkë me kryeministrat Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski”, shkroi Sveçla.
Ministri Sveçla e konsideroi këtë hap tejet të rëndësishëm për qytetarët dhe dëshmi për bashkëpunim të suksesshëm midis dy shteteve fqinje dhe dy ministrive të brendshme.
“Mbi vlerat më të mira do të vazhdojmë punën e përbashkët që ndikon edhe në ngritjen e sigurisë për vendet tona dhe për mbarë rajonin tone”, shtoi Sveçla.
Me qëllim të lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare, reduktimit të kohës së pritjes dhe rritjes së efikasitetit të kontrolleve kufitare Kosova dhe Maqedonia e Veriut më 12 prill të këtij viti lëshuan në përdorim sistemin e njëjtë “one stop shop” edhe në vendkalimin kufitar Bllacë-Hani i Elezit.
Të dyja këto pikëkalime kufitare ishin paraparë të shndërroheshin në “onë stop shop” sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.