Kosovë, lansohet platforma e krahasimit të pronës së zyrtarëve publikë
Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli tha se kjo platformë kthehet në përdorim pas tre vitesh dhe përfshinë tre qeveri kosovare si dhe deputetë të tre përbërjeve të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë komunash

Prishtinë
Organizata joqeveritare Lëvizja FOL prezantoi Platformën online për krahasimin e pronës së 500 zyrtarëve të lartë publikë të Kosovës prej vitit 2010 deri në vitin 2019, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke prezantuar platformën, Mexhide Demolli, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, deklaroi se kjo platformë kthehet në përdorim pas tre vitesh dhe përfshinë tre qeveri kosovare, si dhe deputetë të tre përbërjeve të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë komunash.
"Platforma ka rreth 500 zyrtarë publikë, ndërsa veçoria e Platformës është se ajo mund të bëjë krahasim për të gjithë këta zyrtarë nga 2010 deri në vitin 2019 për periudhën gjatë së cilës ata ishin në pozita në institucionet shtetërore", tha Demolli.
Sipas saj, të dhënat e vendosura në Platformë janë të dhëna zyrtare të Agjencisë për luftë kundër korrupsionit, të cilat zyrtarët i raportojnë pasuritë e tyre. Kategoria e udhëheqësve të shtetit përfshin presidentin, kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat, pasuar nga kategoritë e deputetëve, ministrave, zëvendësministrave dhe kryetarëve të komunave. Si shembull, ajo vuri në dukje të ardhurat e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kemi tetë të ardhura vjetore që nga viti 2010, kur të ardhurat e tij ishin 17.318 euro ndërsa në vitin 2019 paraqiti të ardhura vjetore prej 39.054 euro, që është për rreth 55 për qind rritje për këto nëntë vite kur është fjala e rrogës. Duhet përmendur se Hashim Thaçi në këtë periudhë ka qenë edhe kryeministër kur rroga dallonte nga ajo e tanishme e presidentit”, tha ajo.
Demolli theksoi se në kopertinën e Platformës janë prezantuar 10 zyrtarët më të pasur sipas kategorisë, sipas të cilës Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri më i pasur, biznesmen i njohur me 725 milionë euro. I dyti për nga pasuria është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me një pasuri prej 4.25 milionë euro, ndërsa i treti për nga pasuria është kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinajt me 1.86 milionë euro.
Demolli shtoi se në Platformën gjithashtu mund të shihen 10 zyrtarët me rritjen më të madhe të pasurisë gjatë tre viteve të fundit. Në atë kategori, kryeministri Haradinaj kishte rritjen më të madhe prej 44 për qind ose diçka më tepër se 820 mijë euro. Në vendin e dytë është ministri në dorëheqje Dalibor Jevtiç me një rritje prej 21.46 për qind ose rreth 123 mijë euro.
Janë shënuar edhe 10 zyrtarë me numrin më të madh të burimeve të të ardhurave.
Qëllimi i Platformës është që mediat, por edhe qytetarët, të monitorojnë më lehtë rritjen e pasurisë së zyrtarëve dhe se nëse raportohen rritje të mëdha, rastet të raportohen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.