"Kosovës i duhen më shumë se 100 vjet për të arritur mesataren ekonomike të BE-së"
Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani tha se rritja ekonomike e një vendi, sado që është e nevojshme dhe domosdoshme, nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit
Prishtinë
Në Prishtinë është mbajtur tryeza me temën "Sa shpejtë po i afrohet Kosova standardeve të jetesës së BE-së?", raporton Anadolu.
Kjo ngjarje e cila është pjesë e një iniciative rajonale i cili zbatohet nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në bashkëpunim me "Think Europe" dhe partnerë lokalë në rajon, mblodhi përfaqësues të ndryshëm për të krahasuar nivelin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian (BE).
Visar Vokrri, drejtori programor në Institutin Riinvest i cili ishte organizator i ngjarjes, tha se kanë analizuar më shumë se 40 indikatorë për tetë fusha se ku qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor karshi mesatares së vendeve të BE-së.
Vokrri tha se Kosova, pothuajse qëndron më së keqi në secilën fushë nëse krahasohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Natyrisht, në aspektin ekonomik, me trendin aktual, në supozimin se nuk do të ketë ndonjë iniciativë të përshpejtuar të anëtarësimit, do t'i duhet Kosovës më shumë se 100 vjet për ta arritur mesataren e BE-së. Në arsim dhe infrastrukturë ne veç jemi duke devijuar në rrugën drejt përafrimit", tha ai.
Vokrri tha se për secilën fushë është bërë analizimi i indikatorëve të shumtë, sikurse në fushën e ekonomisë ku janë analizuar indikatorët si: bruto produkti vendor për kokë banori, paga mesatare, paga minimale, pensioni mesatar dhe "output"-i për punëtorë.
Sipas të dhënave të analizuara, Vokrri tha se edhe në shëndetësi Kosovës do t'i duhen rreth 41 vjet për të arritur standardin mesatar të BE-së.
Nga nivelet më të ulëta të Kosovës në krahasim me mesataren e BE-së është edhe çështja e mjedisit, ku sipas Vokrrit me trendin aktual Kosovës do t'i duhen rreth 100 vjet për të arritur mesataren aktuale të BE-së.
Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani tha se rritja ekonomike e një vendi, sado që është e nevojshme dhe domosdoshme, nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit, institucione funksionale, sundim të ligjit, investime kapitale e të tjera.
"Pas zgjedhjeve të shkurtit, vendi është futur në një krizë institucionale të zgjatur e cila është karakterizuar nga një proces të bllokimit të vendimmarrjes, i ushqyer në vlerësimin tonë nga një konflikt antagonist ndërmjet partisë fituese të zgjedhjeve dhe partive tjera kryesore në Kuvend", tha Hashani.
Sipas tij, paqëndrueshmëria politike dhe institucionale e shfaqur për 10 muaj në Kosovë kanë implikime të drejtpërdrejta në konvergjencën ekonomike, në zbatimin e reformave dhe besueshmërinë e institucioneve si dhe perceptimin e Kosovës nga partnerët evropianë.
Qëllimi i kësaj iniciative ishte ofrimi i një vlerësimi bazuar në të dhëna mbi shkallën e konvergjencës ekonomike, sociale dhe institucionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si dhe të ndihmojë në identifikimin e faktorëve që përshpejtojnë apo ngadalësojnë këtë proces.
