BALLKANI

Kosovë, Vetëvendosje partia e vetme e madhe që do të garojë me koalicion për zgjedhjet parlamentare

Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vendosur të hyjnë si të vetme në garë

Agim Sulaj  | 01.12.2025 - Përdıtësım : 01.12.2025
Kosovë, Vetëvendosje partia e vetme e madhe që do të garojë me koalicion për zgjedhjet parlamentare

Prishtinë

Nga partitë parlamentare të Kosovës vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të garojë në koalicion me parti të tjera në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Anadolu.

Partia e cila doli e para në zgjedhjet e kaluara parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në koalicion me partinë Guxo, partinë Alternativa si dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK) nën emrin "Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje".

Zgjedhjet e kaluara VV nuk bënte koalicion por përfshinte në listën e saj kandidatët e partive Guxo dhe Alternativa. Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vendosur të hyjnë si të vetme në garë.

Në këto zgjedhje e vetme në garë zgjedhore do të hyjë edhe partia Nisma Socialdemokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, por që u ndanë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Paraprakisht, kjo parti nuk e kishte kaluar pragun e kërkuar prej 5 për qind, për të hyrë në Kuvend.

Në këto zgjedhje janë paraqitur edhe dy koalicione të tjera: Koalicioni "PAI – PDAK – LPB", i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)"; dhe Koalicioni "Koalicioni VAKAT", i përbërë nga 3 parti politike: Partia Demokratike Boshnjake (DSB), Partia Boshnjake e Kosovës (BSK) dhe Partia Demokratike Vatan (DSV).

Ndërkaq si parti të vetme në garë janë edhe: Partia e Vetme Gorane, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia Demokratike Turke e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Unioni Socialdemokrat – SDU, Lista Serbe, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Fjala, Partia e Re Demokratike - NDS, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) dhe Lidhja e Kosovës.

Ndërkaq si iniciativa qytetare kanë aplikuar "Për socialdemokratët e ashkalinjve" dhe "Iniciativa Qytetare për Kosovë". Kandidat i pavarur ka aplikuar Nexhmidin Sejdilar.

Sipas rregullave, koalicionet janë të pashkëputshme deri në përfundimin dhe certifikimin e zgjedhjeve. Gjithashtu partitë që lidhin koalicion, nuk mund të përfshihen në lista të tjera, e as të garojnë në një listë të veçantë.

Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.