Kosovë, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Marrëveshja, e cila u nënshkrua nga rektorët e dy universiteteve, u cilësua si e nevojshme, por njëherësh edhe si thirrje nga autoritetet e larta shtetërore për të ndihmuar edhe më shumë të dyja universitetet

Prishtinë
Universiteti i Prishtinës (UP) ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Tiranës (UT) sot në Rektoratin e UP-së, për thellimin e bashkëpunimit midis tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja, përpos që parasheh organizim të përbashkët të konferencave dhe këmbim të përvojave rreth hartimit të programeve të përbashkëta, parasheh edhe veprime konkrete që do t’i dalin në ndihmë studentëve nga të dyja vendet.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua nga rektorët e dy universiteteve, u cilësua si e nevojshme, por njëherësh edhe si thirrje nga autoritetet e larta shtetërore për të ndihmuar edhe më shumë të dyja universitetet.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, tha se nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, parashihet që UP-ja dhe UT-ja të shkëmbejnë edhe profesorë për një javë.
“Nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik nga çdo fakultet i Universitetit të Prishtinës do ta dërgojmë një profesor në mbajtje të një cikli të ligjëratave njëjavore në Universitetin e Tiranës. Njëjtë edhe nga Universiteti i Tiranës presim që të na vijnë profesorë të fakulteteve përkatëse për një javë”, tha Sahiti.
Sahiti tutje tha se do të shpeshtohen vizitat reciproke midis dy universiteteve, ndërsa marrëveshja parasheh edhe konkretizim të modaliteteve të këmbimit të studentëve midis dy universiteteve, në mënyrë që kreditë e fituara të njihen nga universiteti reciprok.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, tha se Kosova dhe Shqipëria flasin për integrim evropian, integrim dhe lëvizje të lirë, por në radhë të parë “duhet të integrohemi më mirë me njëri-tjetrin dhe të jemi në asistencë për të gjitha sfidat e arsimit të lartë”.
Ai tha se universitetet e të dyja vendeve kanë një eksperiencë të mëhershme të mirë të bashkëpunimit, por nuk ka qenë e mjaftueshme.
“Ne kemi marrë përsipër që nëpërmjet stafeve tona, nëpërmjet studentëve tanë, të kontribuojmë më shumë në perspektivat e vendeve tona drejt zhvillimeve dhe integrimeve që na presin dhe të jemi më të vlefshëm për shoqërinë në fushat që studiojmë”, tha Hoxha.
Hoxha deklaroi se Universiteti i Prishtinës e ka diapazonin më të gjerë sesa ai i Tiranës në numrin e programeve që ofron, megjithatë, ai theksoi se më studentë të Kosovës studiojnë në Shqipëri sesa anasjelltas.