Kosovë, tre të akuzuar për sulm ndaj KQZ-së në veri, dënohen me 12 vjet burgim
- Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin fajësues dhe ka paralajmëruar se pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do ta shqyrtojë të drejtën e ankesës

Kosova
PRISHTINË (AA) – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga 5 vjet burgim Millun Millenkoviq i njohur me nofkën "Llune" dhe Aleksandar Vllajiq, për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, transmeton Anadolu.
Gjykata bëri të ditur se për sulmin e kryer më 6 dhjetor 2022 në veri, Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burgim ndërsa Miomir Vakiq është liruar nga akuza. Të akuzuarit, nuk kanë marrë pjesë në seancën ku është shpallur aktgjykimi, meqë kanë kërkuar të mos jenë të pranishëm.
Pas vendimit në një njoftim Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin fajësues dhe ka paralajmëruar se pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do ta shqyrtojë të drejtën e ankesës.
"Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor të 2022-tës është kryer sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe një autoambulancë është përdorur për bartjen e granatave të dorës.
Sipas aktakuzës, granatat i ka marrë i akuzuari Milun Milenkoviq, i cili gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare të tij i ka mohuar akuzat.
Ndërkaq, Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë të akuzuar se kanë hedhur granata dore dhe shok bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t'u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Prokuroria Speciale pati kërkuar dënimin e tyre duke theksuar rëndësinë e dënimit meritor për t'i parandaluar sulmet e ngjashme.