BALLKANI

Kosovë, të paktën 19 nxënës u vetë-lënduan nga një sfidë në TikTok

Kumnova-Baçi njoftoi se pas njoftimit të familjeve ata kontrolluan telefonat e nxënësve dhe gjetën foto të tyre duke lënduar duart me mjete prerëse për shkak të një sfide në platformën sociale TikTok

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 09.10.2024 - Përdıtësım : 10.10.2024
Kosovë, të paktën 19 nxënës u vetë-lënduan nga një sfidë në TikTok Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Të paktën 19 nxënës të shkollave të mesme janë vetë-lënduar gjatë pjesëmarrjes në një sfidë në platformën e mediave sociale TikTok, në qytetin e Gjakovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, bëri të ditur për Anadolu se 19 nxënës janë lënduar në periudha të ndryshme kohore, pas raportimeve të bëra nga 7 deri më 9 tetor.

Elezaj tha se për këtë çështje kanë nisur hetime për veprën penale “shtytje në vetëvrasje”, si dhe theksoi se numri i të lënduarve mund të rritet.

Drejtoresha e sektorit të arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, në një deklaratë për media tha se nxënësit në fjalë vijojnë mësimin në shkolla të mesme.

Kumnova-Baçi njoftoi se pas njoftimit të familjeve ata kontrolluan telefonat e nxënësve dhe gjetën foto të tyre duke lënduar duart me mjete prerëse për shkak të një sfide në platformën sociale TikTok.

Duke bërë të ditur se gjendja shëndetësore e nxënësve është mirë, ajo theksoi se vazhdojnë të kontrollojnë edhe nxënësit e tjerë që e dëmtojnë veten për shkak të sfidave të ngjashme.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e instalimit dhe përdorimit të platformës kineze të mediave sociale TikTok në të gjitha institucionet shtetërore të vendit, me qëllim të “rritjes së sigurisë kibernetike”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.