Kosovë, shënohet 30-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut
Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne për të shënuar 7 Shtatorin, apo 30-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut

Prishtinë
Seanca nisi me një video-incizim të vjetër që shfaqte pamjet e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, ndërsa pas saj, kryetarja aktuale e kuvendit, Vjosa Osmani, nderoi me një minutë heshtje të gjithë delegatët që nuk jetojnë më.
Sipas Osmanit, me rastin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, u vulos gurthemeli për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Me 7 shtator 1990 në Kaçanik ju e artikuluat qartë vullnetin e pathyeshëm për lirinë, duke e miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke i vënë themelet e shtetësisë së saj. Miratimi i saj, sikurse dihet, u parapri nga një akt tjetër i guximshëm i juaji, nga deklarata kushtetuese e 2 korrikut me të cilin ju e artikuluat qartë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri”, tha Osmani.
Ish-kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kaçanikut, Ilaz Ramajli, tregoi se rrethanat e fillimit të viteve të 90-ta, gjeografia e Kaçanikut dhe arsye të tjera përcaktuan qytetin e Kaçanikut si vend për shpalljen e kushtetutës.
Ramajli tha se puna që bënë disa delegatë ishte e përkryer dhe rezultoi me sukses.
“Nga data 5 korrik Serbia realisht e kishte pushtuar me forcë dhe me masa anti-kushtetuese Kosovën dhe shqiptarëve të Kosovës u ishte mohuar çdo e drejtë në të gjitha fushat e jetës. Por, pavarësisht krejt kësaj, u bë e qartë se shqiptarët nuk do ta pranonin nënshtrimin. Kuvendi i Kosovës ishte në gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një detyrim të veçantë që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej të përgatiste dhe të shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe akte të tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla”, tha Ramajli.
Ish-delegatja Feride Hyseni tha se kontribut të çmuar për shpalljen e kushtetutës dhanë edhe 18 femra të cilat ishin aktive në seanca dhe komisione si dhe morën pjesë edhe në deklaratën kushtetuese të 2 korrikut.
Në fund, ish-delegatëve që morën pjesë në Kushtetutën e Kaçanikut iu ndanë mirënjohje nga Osmani dhe Ramajli.
Gjatë ditës, edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi kujtoi 7 shtatorin e vitit 1990, ku tha se “me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.