BALLKANI

Kosovë, rrëzohet me mocion mosbesimi qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti

Në një një seancë mbi dhjetë orë në Kuvendin e Kosovës, 82 deputetë votuan pro mocionit për rrëzimin e qeverisë të inicuar nga partneri i koalicionit LDK

Agim Sulaj   | 26.03.2020
Kosovë, rrëzohet me mocion mosbesimi qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti Burimi: Kuvendi i Kosovës

Prishtinë

Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti të mërkurën në një seancë që zgjati mbi dhjetë orë, që u iniciua nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e cila u mbajt me masa parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit (COVID-19) me nga 1,5 metër distancë midis deputetëve të pajisur me maska dhe doreza, janë dezinfektuar vazhdimisht foltorja e kuvendit dhe pjesë të tjera në gjithë sallën ku morën pjesë 106 deputetë.

Seanca ka pasur një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Kurti, e parashtruar nga partneri i koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen (VV), LDK.

Partnerët e koalicionit, por edhe deputetë të opozitës, kanë debatuar për më shumë se dhjetë orë, duke argumentuar pro dhe kundër rrëzimit të qeverisë.

Ndërkaq, Albin Kurti, në fjalën e tij para deputetëve ka numëruar disa nga vendimet dhe punët e qeverisë së tij gjatë 50 ditëve, ndër to ulja e pagave të kabinetit qeverisës. Kurti tha se mocioni synon t’i lë qytetarët pa qeverinë, të cilën ata vetë e kanë votuar.

Sipas Kurtit, “motori i nxitimit të këtij synimi, rrëzimit të qeverisë”, nuk ka të bëjë me shkarkimin e ministrit Agim Veliu, e as me tarifën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, por për t’i hapur rrugë marrëveshjes nga presidentët Thaçi-Vuçiq që, sipas Kurtit, është bërë në Washington me ndërmjetësimin e të deleguarit të posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Unë jam më i bindur se kurrë se marrëveshje të gatshme ka. Faktikisht, këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin me të. Për dy orë e takova dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqin qafe Serbinë. Këta kryeministrat e tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja të hiqet kjo Qeveri për taksën, por për t'i hapur rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha Kurti.

Siç tha Kurti, para një jave, kur presidenti Thaçi ka kërkuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, ka pasur tentim-puç.

“Sot jam i lumtur që nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, para një jave ka pasur tentim-puç në Kosovë. Do të dalin të gjitha transkriptet për këtë”, theksoi Kurti.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke arsyetuar shtrimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, tha se kryeministri padrejtësisht ka hequr ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e LDK-së, Agim Veliun, duke dalë jashtë marrëveshjes së koalicionit.

Sipas Gashit, megjithëse qeveria e re erdhi në pushtet me besimin për një momentum të ri, për luftë të korrupsionit e zhvillim, ajo në më pak se 50 ditë pune “ka vepruar në mënyrë jokonstruktive karshi koalicionit me LDK-në si dhe në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, trupat e të cilit shtet pas qëndrimeve të Kurtit, kanë rrezikuar tërheqjen nga Kosova”.

“Në situatën që ndodhemi, ftoj deputetët që përmes votës së mosbesimit të rrëzojnë këtë qeveri. Na duhet një qeveri e re për kohë të pacaktuar që do të adresonte sfidat imediate”, ka thënë Gashi.

Kryetari i Grupit Parlamentar nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se LDK po e braktis interesin e popullit në kohën kur ai po përballet me koronavirusin, duke iniciuar rrëzimin e qeverisë.

Ai gjithashtu tha se LDK një gjë të tillë po e bën për t’u realizuar planet e presidentëve Thaçi dhe Vuçiq për Kosovën dhe jo për arsyet të cilat ajo po i paraqet.

“Nuk është aspak e vërtetë që kjo seancë është thirrur për shkak të rrëzimit të ministrit Veliu, as për shkak të mostërheqjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, por është thirrur për të çuar përpara një marrëveshje të keqe”, tha Selimi.

Kryetari i Grupit Parlamentar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se partia e tij do të votojë pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Krasniqi tha se koalicioni VV-LDK që nga zanafilla e tij ka nisur me tejzgjatje për mëse 100 ditë deri në formim të marrëveshjes për të bashkëqeverisur. Sipas tij, një gjë e tillë ka dëshmuar papërgjegjësinë ndaj vendit dhe paaftësinë për të qeverisur në mënyrë normale.

“PDK do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t'ia shkurtojë sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”, tha Krasniqi.

Qeveria tashmë e shkarkuar e Kosovës ka qëndruar në pushtet për 50 ditë, ndërsa është konstituuar më 3 shkurt, pas një përpjekjeje disamujore midis partnerëve të koalicionit VV-LDK për të arritur marrëveshje finale për të bashkëqeverisur.

Deri tek inicimi i seancës për mbajtjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë erdhi pasi LDK nuk u pajtua me vendimin e kryeministrit Kurti për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. Kurti e shkarkoi Veliun me arsyetimin se përhapi panik për përhapjen e koronavirusit si dhe “nuk qëndroi në një linjë me kabinetin qeveritar sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë”.

Por, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se vendimi për shkarkimin e ministrit do të duhej të merrej pas konsultimit me të. Gjithashtu, inicimit të mocionit të mosbesimit Mustafa i shtoj edhe arsyetimin se Kurti po rrezikon marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, duke mos e hequr tarifën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.Më 20 mars, Kurti mori vendim për heqjen e tarifës për lëndën e parë për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinës, megjithëse LDK nuk u tërhoq nga mocioni i mosbesimit edhe pas këtij vendimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın