Kosovë, rikthehen vërshimet si pasojë e reshjeve të pandërprera
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, të gjitha institucionet për menaxhimin e emergjencave janë në gjendje gatishmërie për situatën e krijuar
Prishtinë
Reshjet e fundit në Kosovë kanë bërë që disa komuna të përfshihen nga vërshimet duke u shkaktuar dëme në rrugë, shtëpi dhe toka bujqësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, të gjitha institucionet për menaxhimin e emergjencave janë në gjendje gatishmërie për situatën e krijuar.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike, në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.
Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, në autostradën Pejë-Prishtinë afër rrethrrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme. Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin (Fushë Kosovë), ku rruga është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi.
Në Volljakë tek Guri i zi (Komuna e Klinës), restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha, ndërsa në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi.
“Qendra e Situatave - Këshilli i Sigurisë së Kosovës bën të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, njoftojnë nga Zyra e Kryeministrit.
Reshjet kanë dëmtuar edhe komunën e Mamushës, e cila ndodhet në rajonin e Prizrenit.

Kryetari i kësaj komune, Abdulhadi Krasnic, në rrjetet sociale ka njoftuar se për shkak të reshjeve të mëdha dhe të pandërprera niveli i lumit është rritur dhe uji po u shkakton dëm disa shtëpive private, por edhe fermerëve të kësaj komune.
Krasnic ka shtuar se për këtë çështje ka biseduar me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, nga i cili ka marrë premtim për kompensimin e dëmeve brenda një afati të shkurtër kohor.
Krasnic po ashtu ka theksuar se nga ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit ka marrë premtim se shtrati i lumit në këtë komunë do të zgjerohet bashkë me veprimet e tjera të nevojshme në mënyrë që një gjë e tillë të evitohet.
“Do të jemi me njerëzit e Mamushës dhe bujqve tanë në këto kohë të vështira si gjithmonë”, ka shkruar ai.
Për shkak të reshjeve, vërshime në Kosovë ka pasur edhe në javën e parë të janarit, ku qeveria në detyrë e Kosovës ndau 1 milionë euro për kompensim të dëmeve të shkaktuara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
