BALLKANI

Kosovë, qindra punëtorë të KEK-ut protestojnë për rritje pagash

Punëtorët e KEK-ut prej disa muajsh kërkojnë nga Qeveria e Kosovës rritje të pagave për punëtorët, nivelizim të pagave të sigurimit fizik dhe zbatimin e pagës së 13-të

Agim Sulaj  | 12.12.2025 - Përdıtësım : 12.12.2025
Kosovë, qindra punëtorë të KEK-ut protestojnë për rritje pagash Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK) kanë protestuar duke kërkuar rritje pagash, pranë zyrave të KEK-ut në sheshin kryesor të Prishtinës, raporton Anadolu.

“Rritje pagash”, “Punëtorët të rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Ju nuk mund të na varfëroni në heshtje”, “Menaxhment zbato ligjin e punës, paguaj fundjavat për punëtorët me ndërrime”, ishin disa nga mesazhet që mbajtën në duar punëtorët të cilët protestuan në mënyrë paqësore.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Lumnica, tha se KEK-u është ndër asetet kryesore të shtetit dhe puna e tyre “ndriçon” Kosovën.

Llumnica tha se KEK-u është një ndër faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik në vend dhe për këtë arsye sipas tij duhet të rriten edhe pagat e punëtorëve të cilat mesatarisht janë 750 euro.

“Derisa kërkesa për rritje të pagave është e kamotshme, pagat nuk janë rritur. Megjithëse në sektorin publik kemi parë një rritje të pagës edhe në korrik, por jo edhe për punëtorët e KEK-ut. Thanë se kësaj radhe nuk po mundemi dhe po ua japim një bonus – e pranuam, por u dakorduam që në fund të vitit të ndodhë rritja. Në fundvit nuk po ndodhë asgjë”, tha Llumnica.

Ai tha se edhe rritja e buxhetit të Kosovës deri në 4 miliardë euro për vitin 2026 është si meritë e punës së KEK-ut.

Punëtorët e KEK-ut prej disa muajsh kërkojnë nga Qeveria e Kosovës rritje të pagave për punëtorët, nivelizim të pagave të sigurimit fizik dhe zbatimin e pagës së 13-të.

Ata këto kërkesa i kanë arsyetuar me përballjen e përditshme me kushte të vështira dhe rrezik profesional dhe përballjen me rritje të kostos së jetesës nga inflacioni.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın