BALLKANI

Kosovë, punëtorët e RTK-së nisin grevën e paralajmëruar njëorëshe

Punëtorët e RTK-së paralajmëruan se nga e hëna e ardhshme do të fillojë greva me masa edhe më të rënda

Agim Sulaj  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Kosovë, punëtorët e RTK-së nisin grevën e paralajmëruar njëorëshe Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Punëtorët e Radiotelevizionit shtetëror të Kosovës (RTK) kanë nisur grevën e paralajmëruar njëorëshe, për shkak të mosalokimit të buxhetit për transmetuesin publik, raporton Anadolu.

Punëtorët e RTK-së kërkuan që të mos bëhen pjesë e mosmarrëveshjeve politike, duke kërkuar unifikim partiak në zgjidhjen e çështjes së tyre.

Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së theksoi se situata është shumë emergjente. Ai tha se nga e hëna e ardhshme do të fillojë greva me masa edhe më të rënda, për të cilën tha se do të shikojë aspektin ligjor.

"Janë 700 familje pa paga. Paramendojeni, në këtë kohë kur gjithçka është shtrenjtuar dhe ka fluturuar në qiell, ne nuk i kemi as pagat për të cilat punojmë dhe kemi kontratë", thekson Bimbashi.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli deklaroi se BSPK është me punëtorët e RTK-së, pasi punëtorët e RTK-së po kërkojnë pagën e tyre.

Ai tha se është e papranueshme që u bënë disa javë e nuk ka paga për RTK-në.

Pagat e punëtorëve të RTK-së kanë qenë pikë diskutimi midis përfaqësuesve partiakë gjatë këtij muaji në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka deklaruar se ka bërë përpjekje që t'i bindë përfaqësuesit politikë që t'i votojnë disa urgjenca shtetërore, sikurse Buxheti i Shtetit 2026, mjetet financiare për RTK-në si dhe buxhetin për tre komuna, por, tha se partitë tjera nuk janë pajtuar të votojnë në Kuvend pa pasur një qeveri.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjë përpjekje për miratimin e këtyre urgjencave, por deri më tani shumica e partive shqiptare kanë këmbëngulur që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më shpejtë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın