Kosovë, protestë pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë
Protesta u organizua nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, me kërkesën e vetme të ndërprerjes së menjëhershme të luftës në Ukrainë

Prishtinë
Me pankarta "Stop Luftës, shpëtoni Ukrainën", "Bota ka parë mjaft luftëra", "Paqja është më e lirë" e "Lufta kurrë nuk është zgjidhje", dhjetëra qytetarë kanë protestuar pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta u organizua nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, me kërkesën e vetme të ndërprerjes së menjëhershme të luftës në Ukrainë.
Organizatorja e kësaj proteste, Marigona Shabiu, tha se duke qenë se Kosova ka përjetuar efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdon t’i vuajë edhe sot, populli i Kosovës dhe shteti duhet ta dënojë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Bëjmë thirrje që kjo luftë e nisur së fundmi të ndalojë menjëherë dhe të gjitha shtetet të përkushtohen dhe të punojnë seriozisht drejtë krijimit të paqes dhe ruajtjes së stabilitetit në Ukrainë dhe në të gjitha vendet e botës. Ne përveç thirrjes që po i bëjmë shtetit rus që të ndalojë luftën dhe pushtimin e Ukrainës, ne gjithashtu po solidarizohemi dhe bashkëndjejmë me popullin e Ukrainës”, tha Shabiu.
Ajo po ashtu u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile, organizatave paqeruajtëse dhe të gjitha vendeve demokratike që të angazhohen për paqe dhe stabilitet ne Ukrainë dhe kudo në botë.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht si vende të pavarura rajonet e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, pas çka dje nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Ata theksuan se Rusia po përgatitej të pushtojë Ukrainë, akuza që vazhdimisht u refuzuan nga Moska.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.