BALLKANI

Kosovë, protestë për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar lejimin për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve personale të grumbulluara në Trustin Pensional

Agim Sulaj  | 26.05.2022 - Përdıtësım : 27.05.2022
Kosovë, protestë për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar lejimin për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve personale të grumbulluara në Trustin Pensional, raporton Anadolu Agency (AA).

"Unë të votova ty, ti votoje trustin’’, "Djersa është e jona, lejoni kursimet tona", "Trusti është yni, jo i Qeverisë", "Zgjedhjet vijnë përsëri, ti do të dënohesh’’, kanë qenë disa prej thirrjeve të protestuesve, të cilëve u janë bashkëngjitur edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e partive opozitare.

Organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve nga të gjitha partitë politike që ta mbështesin projektligjin i cili mundëson tërheqje të mjeteve financiare personale deri në 30 për qind nga Trusti.

Ai tha se arsyeja kryesore e kësaj kërkese është gjendja e rëndë ekonomike e shkaktuar nga ngritja e çmimeve.

"Gjendja në të cilën ndodhemi është urgjente. Të gjitha çmimet e produkteve bazike dhe tjera janë rritur në mënyrë enorme, prandaj, nuk ka kohë më shumë, durimi ka humbur. Durimi ka humbur lejoni tërheqjen nga Trusti, paratë janë tonat jo të Qeverisë’’, theksoi ai duke shtuar se Qeveria nuk ka arsye ta kundërshtojë një projektligj të tillë.

Për tërheqjen e mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe punëtorë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas disa sondazheve të bëra brenda korporatës të cilave ju referua kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumica, mbi 90 për qind e punëtorëve janë shprehur pro kësaj tërheqjeje.

"Ata të cilët nuk kanë dëshirë t’i tërheqin këto mjete, mos ta bëjnë. Por, ne kemi shumë deputetë të cilët kanë votuar kundër tërheqjes së parave nga trusti herën e kaluar, por i kanë tërhequr mjetet’’, theksoi Llumnica.

Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë që nga kryeministri, janë shprehur kundër mundësisë së tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional. Njëra nga arsyet e këtij kundërshtimi ka qenë se një shumë e tillë nuk i ndihmon qytetarët e varfër, por, vetëm ata të cilët kanë shuma të mëdha të grumbulluara në Trust.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se në vitin 2020, atëherë kur për herë të parë u mundësua një tërheqje e mjeteve nga Trusti deri në 10 për qind, "ka pasur një efekt negativ në ekonomi, duke na e lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar si rimbursim".

Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen nga Trusti ka shkuar në Kuvendin e Kosovës pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.

Propozimi për tërheqje të mjeteve nga Trusti, do të shkojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës pa rekomandim të Komisionit për Buxhet dhe Transfere ngase pas diskutimeve nga anëtarët e këtij komisioni, ky Projektligj nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim, një ditë më herët.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın