BALLKANI

Kosovë, Prokuroria ngre aktakuzë në mungesë ndaj 21 të dyshuarve për dëbim të shqiptarëve

- Prokurori Atdhe Dema tha se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e të pandehurve në dëbimin dhe keqtrajtimin e popullsisë civile shqiptare gjatë luftës

Agim Sulaj  | 15.08.2025 - Përdıtësım : 16.08.2025
Kosovë, Prokuroria ngre aktakuzë në mungesë ndaj 21 të dyshuarve për dëbim të shqiptarëve

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media të Prokurorisë, prokurori i rastit, Atdhe Dema tha se pas disa vitesh të hetimeve intensive, është ngritur akuza ndaj disa personave që kishin autoritet mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe.

"Pas vite hetimesh intensive, Departamenti Special i Prokurorisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dorëzuar sot një aktakuzë lidhur me krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në periudhën janar–qershor 1999", tha ai.

Prokurori Dema tha se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e të pandehurve në dëbimin dhe keqtrajtimin e popullsisë civile shqiptare gjatë luftës. "Këto veprime përbëjnë pjesë të një fushatë të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare", tha Dema.

Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshinte: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.

Për këta 21 të dyshuar, Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarrestime ndërkombëtare, për të cilët tha se janë të paarritshëm për prokurorinë në këtë kohë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.